Lidhje

Nën presidenti amerikan në Londër (11 mars) - 2002-03-11


Nën-presidenti amerikan Dick Cheney dhe kryeministri britianik Tony Blair nuk pranuan të spekulonin mbi veprimet e mundshme ushatarake në kundërpërgjigje të kërcënimeve nga armët irakiane të shkatërrimit në masë. Ata folën në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit që zhvilluan sot në Londër. Zoti Cheney bëri një ndalesë në kryeqytetin britanik para se të nisej për udhëtimin e 10 ditësh në Lindjen e Mesme, ku përfshihen vizita në Izrael, Turqi dhe 9 vende arabe.

Nën-presidenti Cheney tha se do ta shfrytëzojë këtë udhëtim për diskutime dhe jo për të deklaruar vendime. Ai tha se do të diskutojë mbi veprimet që po ndërmerr koalicioni anti-terrorist, kërcënimin e armëve të shkatërrimit në masë dhe, siç u shpreh ai, “zgjedhjet e rëndësishme që kemi përpara.” Ai tha se do të zhvillojë diskutime të sinqerta dhe do të marrë mendimin e miqve dhe aleatëve të rëndësishëm.

Nën presidenti Cheney dhe kryeministri britanik Blair theksuan se presidenti irakian Sadam Husein ka shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ata kërkuan nga ai të eliminojë armët e shkatërrimit në masë dhe të lejojë inspektimet e OKB-së.

Në Bagdat, nën-presidenti irakian Taha Yassin Ramadan kritikoi ashpër zotin Cheney duke e cilësuar si një kriminel i cili nuk mund të përcaktojë fatin e një kombi arab. Zoti Ramadan u bëri thirje udhëheqësve arabë që do të zhvillojnë takime me nën-presidentin Cheney, t’u rezistojnë kërcënimeve amerikane.

Presidenti Bush e ka cilësuar Irakun si pjesë e boshtit të së keqes, në të cilin përfshihen edhe Irani dhe Korea e Veriut.

SHBA nuk kanë plan për sulme bërthamore Nën presidenti Dick Cheney tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë vënë në shënjestër asnjë vend për një sulm bërthamor. Duke folur me gazetarët në Londër zoti Cheney tha se ideja se Shtetet e Bashkuara po përgatiten të ndërmarrin goditje ndaj 7 vendeve për të parandaluar ndonjë sulm prej tyre është tepër e zmadhuar. Nën presidenti po u përgjigjet njoftimeve që agjencitë kryesore amerikane të lajmeve bënë të djelën se Pentagoni po përgatit plane paraprake për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore kundër vendeve që e kërcënojnë atë si Kina, Rusia, Iraku, Korea e Veriut, Irani, Libia dhe Siria. Zoti Cheney tha se raportet e Pentagonit për rishikimin e mundësisë së për përdorimin e armëve bërthamore është një informacion rutinë që i jepet kongresit.

XS
SM
MD
LG