Lidhje

Rindërtimi i Pentagonit (11 mars) - 2002-03-11


Sot mbushen plot 6 muaj nga sulmi kundër Pentagonit nga terroristë vetëvrasës i cili i kushtoi jetën 125 vetëve në brendësi të ndërtesës së famshme në formë pesëkëndëshi. Ekipet e punëtorëve të projektit Phoenix e kanë reduktuar orarin e tyre nga regjimi 24 orësh i punës që aplikonin në fillim, pa asnjë ditë pushimi. Por jo edhe aq: ata vazhdojnë ende të punojnë 20 orë, me një ditë në javë pushim. Arësyeja është se qindra burra dhe gra që po ndihmojnë në rindërtimin e pjesëve të dëmtuara të Pentagonit gjatë sulmit terrorist, kanë një objektiv ambicioz: deri më 11 shtator duan ta bëjnë ndërtesën gati në mënyrë që personeli ushtarak dhe civil të jetë në gjendje të punojë në zyra të përfunduara krejtësisht në të njëjtin vend ku aeroplani i shoqërisë ajrore American Airlines me numër fluturimi 77 u përplas. Lee Evey është drejtuesi i projektit të këtij operacioni prej 700 milionë dollarësh që synon largimin me shpejtësi nga një tragjedi e përgjakshme drejt një triumfi ndërtimor. “Objektivi që kemi shpallur është që deri më 11 shtator personeli të kthehet nëpër zyra në rrethin E të Pentagonit ku u përplas aeroplani. Objektivi ynë është që ata të mund të ulen në tryeza për të bërë punën e tyre. Kështu ne shpresojmë që ato zyra të mos kenë vetëm nga një karrike në to sa për t’u ulur ata që punojnë, por që ato të jenë zyra që funksionojnë plotësisht,” thotë drejtuesi i projektit. Ai shton se projekti është disa javë para planit, por në mënyrë që punëtorëve t’u mbahet parasysh objektivi, një orë muri e cila numëron minutat, orët, ditët, javët dhe muajt e mbetura deri më 11 shtator, është vendosur në kantierin e punës.

Por as nuk është nevoja që ekipet e punëtorëve të nxiten në punë, thotë zoti Evey, pasi ato janë tepër të motivuara. “Është një forcë punëtore shumë e motivuar. As që diskutohet. Arësyet e kësaj janë shpesh personale. Në projekt punojnë persona që kanë humbur anëtarë të familjes. Punëtorët e ndërtimit janë njerëzit më patriotë që mund të ndeshësh në jetë. Nuk mund ta marrësh me mend dhe unë jam shumë krenar për ta,” thotë drejtuesi i projektit. Gati 50 mijë metra katrore zyra në pesë kate, në 3 nga 5 rrathët e strukturës së Pentagonit janë dëmtuar nga sulmi. Por numri i viktimave u mbajt në minimum pasi pikërisht kjo pjesë e godinës ishte ristrukturuar që t’u rrezistonte sulmeve me bomba. Zoti Evey thotë se në seksionin e rindërtuar do të aplikohet e njejta teknologji ndërtimi anti-bombë si edhe teknologji të tjera kundër zjarrit, shpërthimeve dhe lëndëve kimike si dhe atyre biologjike e radiologjike.

XS
SM
MD
LG