Lidhje

Kalendari Historik 13 mars - 2002-03-13


Më 13 mars 1925 guvernatori i shtetit Tennessee, nënshkroi duke i dhënë formën e ligjit, një projektligj, që ndalonte në shkollat e shtetit Tennessee, mësimin e çdo teorie që binte ndesh me interpretimin e mirëfilltë të Biblës lidhur me krijimin. Projektligji ishte propozuar nga anëtari fondamentalist i legjislaturës së shtetit Tennessee, John Washington Butler. Qëllimi i zotit Butler ishte të mos mësohej në shkolla teoria e evolucionit e Charles Darwinit. Në bazë të kësaj teorie njeriu e ka prejardhjen nga majmuni dhe nga qënie të gjalla më pak komplekse. Kjo binte ndesh me atë që thuhet në Bibël, se bota dhe gjithë qëniet e gjalla u krijuan në 6 ditë. Menjëherë pasi u nëshkrua, ligji kundër evolucionit u bë objekt i një gjyqi të bujshëm. Një mësues i ri biologjie në shtetin Tennessee, i quajtur John Thomas Scopes, filloi t’u mësojë nxënësve të tij Teorinë e Darwinit. Ndaj tij u ngrit padi dhe çështja i kaloi gjyqit. Gjyqi i tij, që u zhvillua në korrik të vitit 1925, tërhoqi vëmendjen e opinionit publik në mbarë botën. Scopes u gjet fajtor dhe u dënua me një gjobë prej 100 dollarësh. Më vonë vendimi ndaj tij u përmbys për arsye teknike. Shumë historianë janë të mendimit se gjyqi ishte një dështim për lëvizjen antievolucioniste. Por Tennessee nuk e shfuqizoi ligjin deri në vitin 1967 dhe lëvizja antievolucioniste nuk është zhdukur akoma.

Më 13 mars 1961, presidenti John Kenedi, bëri të njohur propozimin e tij mbi një Aleancë për Përparimin në Hemisferën Perëndimore. Ai e bëri njoftimin në një takim që pati në Shtëpinë e Bardhë me diplomatë të vendeve të Amerikës Latine. Presidenti Kenedi tha se Shtetet e Bashkuara donin të bashkoheshin me vendet e Amerikës Latine në një program dhjetëvjeçar bashkëpunimi teknologjik, ekonomik dhe kulturor, që do të kishte si qëllim përmirësimin e jetës së popujve të hemisferës perëndimore. Roli i Amerikës do të ishte t’i ndihmonte këta vende të futeshin në rrugën e një zhvillimi ekonomik të vazhdueshëm e të pavarur. Kongresi amerikan miratoi për këtë program një fond prej 500 milionë dollarësh dhe ndihmoi në hartimin e statutit të Bankës për Zhvillimin Ndëramerikan, që do të administronte huatë. Megjithatë nga fillimi i viteve ’80 një pjesë e mirë e vrullit dhe entuziazmit për Programin e Aleancës ishin venitur.

XS
SM
MD
LG