Lidhje

Nato për krimin e organizuar në Kosovë - 2002-03-13


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s George Robertson thotë se Aleanca dëshiron t’i kundërpërgjigjet me forcë aktivitetit të grupeve kriminale, që e kanë bërë Kosovën qendër të kontrabandës së drogës, armëve dhe trafikut njerëzor. Zoti Robertson thotë se banda të tilla po ja rrëmbejnë të ardhmen popullit të Kosovës dhe se ato duhet të çrrënjosen.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u takua në Bruksel me administratorin e ri të Kosovës, Michael Steiner. Zoti Steiner më pas informoi ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian lidhur me situatën në Kosovë. Ai gjithashtu u përpoq të siguronte mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën, në një kohë kur vëmendja e botës është spostuar nga Ballkani, në vende të tilla, si Lindja e Mesme dhe Afganistani.

Një zyrtar i NATO-s tha se Aleanca është shqetësuar se përhapja e bandave të krimit të organizuar në Kosovë, po minon përparimin e arritur atje që nga koha kur OKB-ja dhe NATO morën nën kontroll administratën e atjeshme tre vjet më parë. Por ai thotë se masat tepër të rrepta ndaj kriminelëve mund të shkaktojnë një reagim të ashpër, përderisa me këto banda dyshohen të kenë lidhje politikanët shqiptarë.

Ndërkohë që prania ushtarake ndërkombëtare në Kosovë është pakësuar, zoti Robertson thotë se nuk bëhet fjalë për pakësim të përkushtimit të NATO-s për ta bërë Kosovën një vend të sigurtë për popullin e saj. Zoti Steiner thotë se ai është dakord me njëpakësim të mundshëm të trupave në të ardhmen, por ai këshilloi kundër tërheqjes së menjëhershme të trrupave prej andej. Javën e kaluar, Parlamenti i Kosovës zgjodhi president udhëheqësin e moderuar të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova. Zoti Rugova është presidenti i parë i Kosovës, i zgjedhur pas marrëveshjes për ndarjen e pushtetit midis tre partive kryesore politike të shqipatrëve. Por zyrtarë të NATO-s thonë se në Kosovë vazhdon të ketë paqëndrueshmëri dhe të mbretërojë tensioni. Një burim i mungesës së qëndrueshmërisë është papunësia masive, që mendohet të ketë kapur shifrën 50 për qind.

XS
SM
MD
LG