Lidhje

Izraeli-tërheqje nga Ramallah - 2002-03-14


Trupat dhe tanket izraelite po tërhiqen nga qyteti Ramallah i Bregut Perëndimor, tri ditë pasi e pushtuan atë.

Tërheqja filloi dje vonë dhe pritej të merrte disa orë. Zyrtarë izraelitë thanë se trupat dhe tanket do të qendrojnë përjashta qytetit, ku udhëheqësi palestinez, Jaser Arafat, mbahet i izoluar që nga fillimi i dhjetorit.

Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, urdhëroi tërheqjen, ndërkohë që i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Anthony Zinni, po fillonte një përpjekje e re për paqe. Ai mbërriti në rajon dje dhe u takua dje vonë me zotin Sharon.

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se kjo tërheqje do t’i ndihmojë përpjekjet e gjeneral Zinit për të ndaluar luftimet. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher, u tha gazetarëve se Washingtoni pret që Izraeli të tërhiqet plotësisht nga territoret nën kontrollin palestinez, përfshirë qytetin Ramallah dhe zona të tjera që forcat izraelite pushtuan kohët e fundit.

Ndërkohë, dhuna vdekjeprurëse izraelito palestineze vazhdoi dje në Ramallah dhe në zona të tjera, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 9 palestinezëve dhe tre ushtarëve izraelitë.

Mes atyre që u vranë dje ishin dy palestinezë të akuzuar se bashkëpunonin me Izraelin. Ata u vranë nga palestinezë të maskuar. Tre ushtarët izraelitë u vranë kur tanku i tyre u hodh në erë nga ekstremistë palestinezë në Rripin e Gazës.

XS
SM
MD
LG