Lidhje

Kalendari Historik 15 mars - 2002-03-15


Më 15 mars 1913 Woodrow Wilson mbajti konferencën e parë presidenciale të hapur për shtyp në historinë e Shteteve të Bashkuara. Presidenti kishte filluar nga detyra vetëm 11 ditë më parë, kur ai ftoi të gjithë korrespondentët pranë Shtëpisë së Bardhë, të merrnin pjesë në një konferencë me pyetje-përgjigje. Megjithatë, të 125 reporterët, që morën pjesë në konferencë, nuk u lejuan të citojnë drejtpërdrejt fjalët e presidentit. Tradita për të mos cituar drejtpërdrejt presidentin, pa lejen e tij të posaçme, ishte përcaktuar nga presidenti i parë i vendit, George Washington. E fshehta e atyre ditëve tani i përket së kaluarës. Konferencat presidenciale të ditëve tona transmetohen drejtpërdrejt nga stacionet e radios dhe televizionit dhe përdoren nga presidentët për të njohur me politikat e tyre qytetarët dhe mjetet e informimit.

Më 15 mars 1965 në një sesion të përbashkët të të dyja dhomave të Kongresit, presidenti Lyndon Johnson kërkoi nga ligjëvënësit amerikanë që të miratonin menjëherë një projektligj, për të hequr ato që ai i quante pengesa të paligjshme, të cilat nuk i lejonin zezakët amerikanë të votonin. Ai e mbajti fjalimin në një kohë kur në mbarë vendin zhvilloheshin veprimtari kushtuar të drejtave civile, të cilat përqendroheshin në përpjekjet për regjistrimin e votuesve zezakë. Vëmendja e vendit ishte përqendruar në mënyrë të veçantë në Selma të shtetit Alabama, ku policia kishte rrahur demonstrues paqësorë, që ishin duke protestuar kundër kufizimeve që u viheshin zezakëve për të votuar. Në projektin e tij për të drejtat elektorale, presidenti Johnson propozonte të hiqeshin kufizimet elektorale dhe të caktoheshin zyrtarë të qeverisë federale për regjistruar votuesit zezakë, në se kjo e drejtë u mohohej nga zyrtarë të organeve shtetërore apo lokale. Projektligji kërkonte gjithashtu sigurime, që ata të cilët ishin regjistruar sipas të gjitha rregullave, të kishin mundësi reale për të votuar. Projektligji mbi të drejtën e votës, që u miratua nga Kongresi dhe u nënshkrua nga Presidenti, ishte pjesë e një vargu propozimesh lidhur me të drejtat civile, të bëra nga administrata e presidentit Johnson nga mesi i viteve 1960

XS
SM
MD
LG