Lidhje

Një diplomat amerikan ndalohet në Beograd - 2002-03-16


Shtetet e Bashkuara i shprehën indinjatë të thellë qeverisë jugosllave lidhur me ndalimin ditën e enjte të një diplomati amerikan nga policia ushtarake në Beograd.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher, tha se diplomati po hante darkë në një restorant të Beogradit me zëvendës-kryeministrin serb, Momçilo Perisiq, kur policia ushtarake jugosllave hyri dhe i arrestoi të dy. Zyrtarët në Washington e identifikuan diplomatin si sekretarin e parë të ambasadës amerikane, John David Neighbor.

Zoti Boucher tha se policia ushtarake e keqtrajtoi edhe fizikisht diplomatin amerikan dhe e mbajti atë për 15 orë pa e lejuar të binte në kontakt me ambasadën para se ta lironte.

Ai tha se policët që e arrestuan nuk ishin në uniformë dhe nuk kishin paraqitur asnjë dokument kur iu afruan diplomatit amerikan, të cilin më pas e morën në pyetje.

Zëdhënësi amerikan e cilësoi ndalimin e zëvendës-kryeministrit serb, Momçillo Perishiq, si një sulm kundër një zyrtari civil të zgjedhur të qeverisë serbe. Ai tha se Shtetet e Bashkuara protestojnë me forcë kundër këtij incidenti.

Lajmet nga Beogradi citojnë burime të sigurimit jugosllav, sipas të cilëve zoti Perishiq ishte ndaluar nën dyshimet për veprimtari spiunazhi. Autoreitetet ushtarake jugosllave ende nuk e kanë liruar gjeneralin Perishiq, i cili ka shërbyer edhe në postin e shefit të shtatmadhorisë jugosllave.

Kryeministri serb, Zoran Xhinxhiç, e cilëoi arrestimi si një skandal të klasit të parë.

XS
SM
MD
LG