Lidhje

Luhatje në Lindjen e Mesme - 2002-03-16


Zyra e kryeministrit izraelit tha se zoti Sharon është i gatshëm të takohet me udhëheqësit palestinezë për diskutime rreth armëpushimit, megjithëse ende nuk është caktuar ndonjë datë për një takim të tillë.

Fillimisht, zyra e zotit Sharon tha se bisedimet do të zhvilloheshin sot me pjesëmarrjen e të dërguarit amerikan në Lindjen e Mesme, Anthony Zinni. Mirëpo, zyra e kryeministrit njoftoi më pas se ende nuk ishte marrë ndonjë vendim për mbajtjen e ndonjë takimi gjatë ditës së sotme.

Mesa duket kjo tërheqje ndodhi pasi zyrtarë palestinezë thanë se nuk do të marrin pjesë në asnjë takim me izraelitë derisa trupat izraelite të tërhiqen nga zonat palestineze që ata pushtuan kohët e fundit. Forcat izraelite u tërhoqën të premten nga tre qytete të Bregut Perëndimor, por ende vazhdojnë të qendrojnë në Bethlehem dhe në fshatin Beit Jalla.

Dje, agjencia e lajmeve Associated Press citoi një zyrtar izraelit të ketë thënë se Izraeli i ka siguruar palestinezët se do të tërhiqet nga Bethlehemi dhe fshati Beit Jalla. Përveç kësaj, ministri i Jashtëm izraelit, Shimobn Peres, thotë se Izraeli do t’i ndalojë sulmet kundër zonave të kontrolluara nga palestinezët.

Gjeneral Zinni pati dje takime të veçanta me zotin Sharon dhe udhëheqësin palestrinez, Jaser Arafat, në vazhdën e përpjekjeve për arritjen e armëpushimit.

Të premtën, gjeneral Zinni shprehu mendimin se të dyja palët janë të angazhuara që ta kapërcejnë atëç që ai e cilësoi si gjendje të tmerrshme. Rreth 60 izraelitë dhe 200 palestinezë janë vrarë në përleshjet midis dy palëve që nga fillimi i marsit.

Dita e djeshme ishte kryesisht e qetë. Mirëpo, ushtarët izraelitë thonë se vranë tre palestinezë që, sipas tyre, po përpiqeshin të sulmonin një vendbanim hebraik në Rripin e Gazës. Ushtarët izraelitë vranë edhe një shofer taksie në Hebrn të Bregut Perëndimor, zonë ku është shpallur ndalimqarkullimi.

XS
SM
MD
LG