Lidhje

Luftëtarë talebanë dhe të al-Kaidës në Pakistan - 2002-03-18


Ministria afgane e Mbrojtjes akuzoi fraksionet fisnore pakistaneze se po strehojnë udhëheqës talebanë dhe luftëtarë të ikur të al-Kaidës në rajonet e pasigurta kufitare.

Zëdhnësi i Ministrisë afgane të Mbrojtjes, Saranwal Mir Xhan, i tha dje agjencisë së lajmeve Associated Pres se zyrtarët afganë e dinë që fraksionet fisnore pakistaneze po ndihmojnë talebanët në zonat ku kontrolli i qeverisë është i dobët. Udhëheqësit tradicionalë fisnorë ende vazhdojnë të sundojnë pjesën më të madhe të rajonit.

Zoti Xhan tha se qeveria e përkohshme afgane po dërgon me të shpejtë patrulla kufitare për të mos lejuar që anëtarë të Talebanit dhe të rrjetit al-Kaida të udhëtojnë lirisht nga njëra anë e kufirit në tjetrën.

Ai tha se përmbysja e regjimit taleban në Afganistan nuk ka ndryshuar lidhjet e ngushta midis Talebanit dhe udhëheqësve fisnorë e klerikëve pakistanezë, mes të cilëve ekzistojnë lidhje fetare, kultorore dhe etnike.

Pakistani ende nuk u është përgjigjur këtyre akuzave. Por ka dërguar trupa në pjesë të kufirit të tij me Afganistanin për të kapur terroristët që përpiqen të ikin. Udhëheqësit pakistanezë kanë thënë se nuk do të lejojnë persona të kërkuar në truallin e tyre.

Zyrtarë afganë dyshojnë se shumë luftëtarë talebanë dhe të al-Kaidës kanë ikur në Pakistan, pasi forcat e koalicionit morën nën kontroll luginën Shah-i-Kot në Afganistanin lindor, javën e kaluar.

Komandantë amerikanë thonë se gjatë ditëve të fundit, veprimet ushtarake në atë zonë kanë qenë të pakta. Forcat e koalicionit po kërkojnë për luftëtarët e fundit të armikut që mund të ndodhen të fshehur në shpellat malore.

XS
SM
MD
LG