Lidhje

Vazhdon lufta kundër varfërisë - 2002-03-18


Kryetarë shtetesh dhe zyrtarë nga e gjithë bota po mblidhen sot në Monterey të Meksikës për të marrë pjesë në një konferencë të Kombeve të Bashkuara për çrrënjosjen e varfërisë. Pjesëmarrësit në Konferencën Ndërkombëtare mbi Financimin për Zhvillimin pritet të diskutojnë rreth zbutjes së borxheve, nxitjes së rritjes ekonomike dhe zgjerimit të programeve për të ndihmuar vendet e varfëra.

Të premten, në konferencën 5-ditëshe pritet të marrë pjesë edhe Presidenti Bush. Delegatët do të diskutojnë mbi një projekt-deklaratë të quajtur Konsensusi i Monterey-it, në të cilën vendet e ndryshme zotohen të ndihmojnë në luftën kundër varfërisë. Në dokument u bëhet thirrje vendeve të zhvilluara të shpenzojnë një përqindje të vogël të të ardhurave të tyre kombëtare për të ndihmuar vendet e varfëra.

Mary Robinson nuk do të kërkojë mandat të ri

Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Mary Robinson tha se nuk do të kërkojë një mandat të ri kur mandati i saj i tanishëm të përfundojë në muajin shtator. Ish presidentja e irlandës e bëri njoftimin e saj sot në një fjalim përpara komisionit të përvitshëm të OKB-së për të drejtat e njeriut në Gjenevë. Me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm, Kofi Aannan, 57-vjeçarja Robinson e kishte zgjatur edhe një vit mandatin e saj 4 vjeçar, i cili mbaronte në vitin 2001.

XS
SM
MD
LG