Lidhje

Al Qaida në sulm - 2002-03-20


Një zëdhënës ushtarak amerikan në Afganistan thotë se luftëtarë të Al-Qaidës dhe ata talebanë sulmuan trupat e koalicionit me bazë në provincën lindore Khost.

Zëdhënësi u tha gazetarëve në bazën ajrore të Bagramit afër Kabulit se terroristët, të cilët ishin të armatosur me mitralozë, granatahedhës dhe mortaja, i sulmuan trupat e koalicionit mbrëmë, duke shkaktuar shkëmbime zjarri që zgjatën disa orë. Ai tha se nuk ishte në dijeni për viktima midis forcave të koalicionit dhe se autoritetet ushtarake po vlerësojnë situatën.

Provinca e Khostit kufizohet me provincën Paktia, arenë e operacionit Anaconda, gjatë të cilit, sipas zyrtarëve amerikanë, u vranë qindra luftëtarë të al-Qaidës dhe talebanë.

Gjenerali Franks në Moskë

Komandanti i trupave amerikane në Afganistan, gjenerali Tommy Franks ndodhet në Moskë për të informuar zyrtarët rusë mbi zhvillimet e fundit në luftën e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan. Gjenerali Franks do të zhvillojë bisedime me ministrin rus të mbrohtjes, Sergei Ivanov dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë mbi operacionet e tanishme anti-terroriste kundër luftëtarëve të al-Qaidës dhe atyre talebanë në Afganistan.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve, Itar-Tass, në bisedime do të flitet edhe për rrugët e zgjerimit të mundshëm të bashkëpunimit amerikano-rus në luftën kunër terrorizmit ndërkombëtar.

Rusia e ka mbështetur fushatën ushtarake amerikane në Afganistan, e cila filloi si kundërpërgjigje ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG