Lidhje

Beogradi do të ekstradojë të burgosur në Kosovë - 2002-03-23


Serbia ka rënë dakord t’u dorëzojë autoriteteve të Kosovës rreth 150 të burgosur shqiptarë nga Kosova, pas kërcënimeve nga Washingtoni se do të bllokonte ndihmën monetare për Beogradin.

Qeveria serbe njoftoi dje se kishte rënë dakord të transferojë në Kosovë shqiptarët që forcat serbe i morën si të bugosur kur u tërhoqën nga Kosova në vitin 1999.

Sipas marrëveshjes me administratën e OKB-së për Kosovën, çështjet e disa të burgosurve shqiptarë do të rishqyrtohen në mënyrë që të lejohet ekstradimi i tyre. Ndërsa, disa shtetas serbë të burgosur në Kosovë do të lejohen të trasferohen në burgjet e Serbisë.

Kjo marrëveshje përmbush disa nga kushtet e paraqitura nga Kongresi amerikan që Serbia duhet të plotësojë deri më 31 mars në mënyrë që Jugosllavia të vazhdojë të marrë ndihmë amerikane.

Ndërkaq, Serbia dhe Mali i Zi arritën dje një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një hua prej 800 milionë dollarësh.

Mirëpo, kjo hua mund të mos realizohet nëse Beogradi nuk përmbush kushtet e paraqitura amerikane. Mes kushteve të tjera janë ekstradimi i personave të akuzuar për krime lufta dhe ndëprerja e ndihmës financiare për ushtrinë e serbëve të Bosnjës.

Një përfaqësues në Beograd i një grupi ndërkombëtar për zgjidhjen e krizave tha se Serbia nuk është kurrkund afër përmbushjes së këtyre kushteve.

XS
SM
MD
LG