Lidhje

Raport i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve - 2002-03-26


Komiteti thekson se gazetarët në Shqipëri vazhduan të ndeshen me problemet që sjellin politikat partiake, zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik, si dhe rreziqet lidhur me sigurinë. Artikujt dhe raportet u karakterizuan nga prirje të theksuara partiake. Një ndër arsyet ishin burimet e kufizuara të të ardhura nga reklamat për kundrejtë taksave dhe kostos së lartë të botimit. Si rezultat redaktorët dhe publicistët mbështeten te ndihmat financiare të partive politike. Probleme të shumta spikatën gjatë zgjedhjeve parlamentare të verës së kaluar. Raportimi kishte tone të forta partiake dhe njoftimet pasqyronin rivalitetin e ashpër politik ndërmjet Partisë Socialiste dhe koalicionit Bashkimi për Fitore të Partisë Demokratike. Televizioni Shqiptar, thekson Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, ndihmoi në fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhje, me raportet e njëanshme që favorizonin këtë forcë politike. I njëjti qëndrim u vërejt edhe nga TV Klani, ndërkohë që dy stacione lokale në Tiranë, TV Shijaku dhe ATN-1 haptazi përkrahën Partinë Demokratike. Komiteti thekson se ka pasur njoftime për kërcënime ndaj gazetarëve të mediave pro-Partisë Demokratike gjatë fushatës zgjedhore. Në Kosovë spikatën problemet e sigurisë. Një numër gazetarësh njoftuan për kërcënime për keqtrajtime. Raporti përmend rastin tragjik të gazetarit Bekim Kastrati të të përditshmes Bota Sot, i cili u vra në një incident me armë zjarri. Në kapitullin për Maqedoninë, raporti vë në dukje përçarjen në vija etnike të medias gjatë vitit të kaluar. Raportimet nga të dyja këto kampe dalloheshin nga njëanshmëria në favor të njërës apo tjetër palë në konflikt, ndërkohë që qeveria maqedonase u angazhua në një fushatë kërcënimesh dhe ndëshkimesh për këdo që nuk mbështeste në publikimet e tij qëndrimin qeveritar. Siguria e gazetarit vazhdoi të mbetet një problem serioz gjatë vitit të kaluar, sidomos për ata që raportojnë mbi çështje si krimi i organizuar apo korrupsioni. I njëjti problem, thekson raporti, u vërejt edhe në Kosovë, ku gazetarët u ndeshën me kërcënime nga partitë politike dhe elementë të krimit të organizuar.

XS
SM
MD
LG