Lidhje

Presidenti Bush kërkon tërheqjen e trupave izraelite - 2002-04-04


Presidenti Bush i bëri thirrje Izraelit të tërhiqet nga zonat palestineze të pushtuara kohët e fundit, por zyretarë izraelitë ngulin këmbë se operacioni i tyre do të vazhdojë deri sa të zhduket terrorizmi.

Gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush i bëri thirrje edhe udhëheqësit palestinez, Jaser Arafat, të bëjë ç’është e mundur për t’i dhënë fund terrorizmit.

Presidenti Bush sinjalizoi edhe fillimin e një roli më aktiv maerikan, duke thënë se javën e ardhshme do të dërgojë në Lindjen e Mesme sekretarin e Shtetit, Colin Powell, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e armëpushimit. Izraeli dhe palestinezët i mirëpritën komentet e presidentit Bush.

Në një deklaratë të lexuar nga kryenegociatori palestinez, Saeb Erekat, zoti Arafat thotë se e pranon pa kushte nismën amerikane të paqes dhe se ai është i angazhuar ndaj procesit të paqes. Zoti Arafat thotë gjithashtu se se është i gatshëm të takohet me sekrretarin Powell javën e ardhshme. Mirëpo, zyrtarë të tjerë palestinezë thanë se përpjekjet amerikane janë të pakuptimta nëse nuk bëhen ndryshime në terren.

Ministri i Jashtëm izraelit, Shimon Peres, tha se mirëpret thirrjen e presidentit Bush për t’i dhënë fund terrorizmit dhe përpjakjen e tij për arritjen e armëpushimit në mënyrë që të krijohen mundësitë për rifillimin e bisedimeve të paqes.

I dërguari amerikan në Lindjen e Mesme, Anthony Zinni, shpreson të takohet sot me udhëheqësin e rrethuar palestinez në Ramallah..

XS
SM
MD
LG