Lidhje

Kalendari Historik 9 prill - 2002-04-09


Më 9 prill 1939, Marian Anderson, sopranoja zezake dha një koncert në Përkujtimorën e Lincolnit në Washington. Dhjetra mijë veta, madje sipas disa llogaritjeve rreth 200 mijë veta, ndoqën shfaqjen me këngë klasike, spirituale dhe patriotike. Zonja Anderson kishte planifikuar të jepte shfaqje në sallën e Kushtetutës, por nuk u lejua nga organizata Bijat e Revolucionit American, që ishte pronare e godinës. Organizata, e cila përfaqëson gratë, pasardhëse të burrave që luftuan kundër Britanisë në luftën revolucionare të Amerikës, ngulnin këmbë se data 9 prill ishte e rezervuar qysh më parë për një shfaqje tjetër. Por shumica besojnë se arsyeja e organizatës për pengimin e koncertit të zonjës Anderson ishte sepse ajo ishte zezake. E zemruar nga vendimi i organizatës, Zonja e Parë e Amerikës, Eleanor Roosevelt dha dorëheqjen si anëtare e saj. Zonja Roosevelt përdori ndikimin e saj që koncerti të jepej të Dielën e Pashkëve në përkujtimoren e Lincolnit më 9 prill, 1939.

Më 9 prill të vitit 1963, Shtetet e Bashkuara i akorduan titullin Qytetar Nderi kryeministrit britanik gjatë kohës së Luftës së dytë Botërore, Winston Churchill. Midis të ftuarve në ceremoninë e zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë ndodheshin amabsadori britanik, përfaqësues të Komonuellthit Britanik, djali dhe nipi i ish-kryeministrit dhe miqtë e tij amerikanë. Megjithatë, Winston Churchill, i cili ishte 88 vjeç dhe i dobët nga ana shëndetsore, nuk ndodhej aty. Por ai po e ndiqte ceremoninë në televizion në shtëpinë e tij në Londër. Presidenti John Kennedy foli për vlerësimin që ameriklanët kishin për burrin e vendosur të Britanisë dhe udhëheqësin elokuent të luftës. ”Duke e shpallur Qytetar Nderi, unë vetëm se po propozoj një njohje zyrtare të vendit që ai ka kohë që ka zënë në historinë e lirisë dhe zemrat e bashkatdhetarëve të mij e tani edhe të tijve.” Sir Winston Churchill, Qytetar Nderi i Shteteve të Bashkuara, vdiq në janar të vitit 1965 në moshën 90-vjeçare.

XS
SM
MD
LG