Lidhje

Izraeli të tërhiqet menjëherë - 2002-04-10


Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Rusia dhe Kombet e Bashkuara i bënë thirrje Izrelit që të tërheqë menjëherë trupat e tij nga zonat palestineze në Bregun Perëndimor. Në një deklaratë të përbashkët, të katër palët i kërkuan gjithashtu udhëheqësit palestinez, Jaser Arafat, që të bëjë çdo të mundur për të ndaluar sulmet kundër civilëve izraelitë.

Kjo deklaratë u publikua sot në Madrid, pasi sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, u takua me zyrtarë rusë e të Bashkimit Evropian si dhe me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan për të diskutuar mbi gjendjen në Lindjen e Mesme.

Sekretari Powell, i cili ndodhet me një mision vendimtar në përpjekje për ti dhënë fund dhunës izraelito-palestineze, shkon nesër në Jeruzalem. Zoti Powell tha se nuk ka caktuar ndonjë datë për ti dhënë fund misionit të tij dhe është gati të qëndrojë në Lindjen e Mesme për një farë kohë, në se një gjë e tillë është e nevojshme.

Ndërkohë si pasojë e një shpërthimi vetëvrasës në një autobuz pasagjerësh në afërsi të qytetit Haifa në Izraelin verior, humbën jetën të paktën 8 pasagjerë dhe autori i sulmit dhe u plagosën më shumë se 12 persona të tjerë. Autobuzi u hodh në erë në orët e mëngjesit me trafik të dëndur. Grupi ekstremist islamik Hamas mori përgjegjësinë. Ky grup tha se sulmi ishte një mesazh për kryeministrin izraelit Ariel Sharon se operacioni ushtarak në Bregun Perëndimor është një dështim. Izraeli tha se ofensiva e tij në qytetet dhe fshatrat palestineze do të vazhdojë deri sa të shkatërrohet infrastruktura e grupeve terroriste.

XS
SM
MD
LG