Lidhje

Shanset e Shqipërisë për anëtarësim në Nato - 2002-04-12


Në takimin e Natos që do të zhvillohet në Pragë në nëntor, 9 vende, përfshirë edhe Shqipërinë do të shqyrtohen për antarësim në Aleancë. Ambasadori amerikan pranë Natos, Nicholas Burns thotë se kërkesa e Shqipërisë për antarësim po shqyrtohet me seriozitet. Ai i bëri këto komente në një diskutim organizuar nga Departamenti i Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare pranë Universitetit Johns Hopkins, ku ai foli kryesisht mbi rëndësinë e Natos për Shtetet e Bashkuara.

Zoti Burns theksoi se sfidat ndaj sigurisë ndërkombëtare e kanë bërë rolin e Natos më jetik se kurrë:

“Sfida kryesore me të cilën ndeshet Natoja është ruajtja e aftësisë për të luftuar çdo armik në mënyrë që të ruhet paqja në Evropë dhe në Amerikën e Veriut, siç përcaktohet në Nenin 5 të statutit të Natos,” theksoi ambasadori. “Një tjetër përparësi është vazhdimi i misioneve paqeruajtëse në Ballkan. 260 mijë vetë u vranë gjatë viteve ’90 në luftrat në Ballkan. Natoja i ndali këto luftra dhe tani po ruan paqen. Shtetet e Bashkuara u angazhuan në rajon bashkë me aleatët e tyre dhe do të largohen që andej së bashku. Misionet tona paqeruajtëse do të vazhdojnë, pasi Shtetet e Bashkuara dëshirojnë një Evropë të lirë, të sigurtë dhe në paqe dhe për këtë kërkohet paqe dhe siguri edhe në skajin e saj jug-lindor,” theksoi zoti Burns.

Ndër përparësitë e tjera të Natos, ambasadori Burns vuri në dukje nevojën e forcimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve me Rusinë si dhe zgjerimin e Aleancës me anëtarë të rinj nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe vendet baltike.

Ambasadori Burns thekson se antarësimi në Nato sjell avantazhe të shumta, por vë në dukje se vendet kandidate duhet të përmbushin në radhë të parë një numër përgjegjësish:

“Natoja ka standarte shumë të larta që duhen përmbushur nga çdo kandidat për antarësim. Çdo kandidat që pranohet në Nato duhet të kalojë dy prova të rëndësishme: e para lidhet me ndikimin që ky vend do të ketë tek Natoja dhe e dyta lidhet me angazhimin serioz të këtij vendi ndaj demokracisë,” tha ambasadori amerikan.

Zoti Burns zhvilloi ditët e fundit një turne në vendet kandidate për antarësim në takimin e nivelit të lartë që do të zhvillohet në nëntor në Pragë. Gjatë kësaj vizite zoti Burns shkoi edhe në Shqipëri për të parë nga afër sesi ky vend po i përmbush parametrat për t’u antarësuar në Nato:

“Isha në Tiranë me delegacionin e qeverisë amerikane. Zhvilluam një seri takimesh me kryeministrin Majko dhe presidentin Mejdani. Na bëri shumë përshypje niveli i përkrahjes publike për Naton, dhe nga mbështetja dhe gatishmëria e shqiptarëve për ndihmë. Shqipëria është një ndër vendet kandidate dhe ne po e shqyrtojmë me seriozitet kërkesën e saj për antarësim,” the ambasadori.

Zoti Burns theksoi gjithashtu një numër problemesh ku kërkohet një punë më serioze nga autoritetet shqiptare për të përmbushur standartet e antarësimit:

“Në Shqipëri lufta kundër korrupsionit është një ndër çështjet që kërkon angazhim. Përveç saj mund të përmend edhe reformat dhe ristrukturimi ushtarak.”

Ambasadori Burns theksoi se Shqipëria është një mike shumë e besuar e Natos, dha pavarësisht nga zhvillimet në Pragë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Natos do të vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG