Lidhje

Ligji jugosllav i pamjaftueshëm - 2002-04-12


Gjykata e Hagës kërkon një bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar nga ana e Beogradit, dhe thotë se ligji i miratuar nga parlamenti jugosllav për arrestimin dhe ekstradimin e të dyshuarve për krime lufte nuk ishte i nevojshëm. Jugosllavia e konsideron miratimin e ligjit për arrestimin dhe esktradimin e të dyshuarve për krime lufte, si plotësim të kërkesës ndërkombëtare për bashkëpunim në këtë drejtim dhe rrjedhimisht për përfitimin e ndihmës amerikane për këtë vit, që qeveria e Shteteve të Bashkuara e ngriu në fillim të këtij muaji.

Zëdhënësi i Gjykatës së Hagës, zoti Jim Landale tha për Zërin e Amerikës, se gjykata do të donte të shihte tani disa veprime konkrete dhe së pari dhe para së gjithash kjo do të thoshte kapje dhe transferim të atyre individëve ndaj të cilëve gjykata ka ngritur padi. Ai shtoi se ata kanë mbetur të lirë për një kohë shumë të gjatë dhe gjykata shpreson që shumë shpejt ata të çohen në Hagë.

”Gjykata gjithmonë ka shprehur mendimin se një ligj për bashkëpunim nuk ishte absolutisht i nevojshëm. Baza ligjore për bashkëpunim me gjykatën, ekzistonte që më parë. Gjithsesi nëse ligji u miratua për të përshpejtuar bashkëpunimin, padyshim që ne e mirëpresim. Por ne nuk duam që një ligj që të përdoret për të bllokuar bashkëpunimin, ose që ta vonojë atë, ose që të vërë kushte të papranueshme. Kështuqë shumë gjëra do të varen tani nga mënyra sesi përdoret ky ligj”, tha zoti Landale.

Ligji u miratua pas sinjaleve të forta nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, sipas të cilave forcimi i marrëdhënieve me Beogradin, kushtëzohej nga bashkëpunimi me gjykatën e Hagës. Jugosllavia nuk arriti të japë prova për këtë bashkëpunim deri më 31 mars, afat i vendosur nga Shtetet e Bashkuara, si kusht për t’i dhënë 40 milionë dollarë ndihma për këtë vit. Që nga 1 prilli ndihmat janë ngrirë. Kjo ndihmë mund të anulohet përfundimisht nëse Sekretari i Shtetit, Colin Powell nuk vendos që Beogradi po bashkëpunon me gjykatën.

Ndërkohë, presidenti jugosllav, Vojislav Kostunica e quajti përpjekjen për vetëvrasje të ish-ministrit serb të punëve të brendshme Vlajko Stojiljkovic, një paralajmërim për bashkësinë ndërkombëre se trysnia e vazhdueshme dhe kushtet e shumta që i janë vënë Jugosllavisë, mund të kenë pasoja negative.

Zoti Stojiljkovic kishte lënë një shënim ku thoshte se po e bënte këtë për të protestuar ndaj ligjit të ekstradimit. Zëdhënësi i Gjykatës së Hagës shprehu keqardhjen për incidentin.

”Përpjekja për vetëvrasje e zotit Stojiljkovic është pa dyshim një incident për të ardhur keq dhe shumë tronditës, megjithatë ne nuk presim që të ketë pasoja afatgjata në bashkëpunimin me gjykatën. Autoritetet e Beogradit kanë një detyrim ndërkombëtar ligjor për të bashkëpunuar plotësisht dhe shpejt me paditë e gjykatës dhe ne këtë presim të shohim”, tha zoti Landale. Ndërkohë edhe organizata e të drejtave të njeriut ”Human Rights Watch”, është shprehur me anë të një deklarate se ligji i ri, miratuar nga parlamenti jugosllav, nuk përmbush angazhimin e Jugosllavisë për bashkëpunim me gjykatën e Hagës. Po ashtu organizata thotë se ligji nuk do të thotë asgjë pa transferimin e të paditurve dhe lë shteg për interpretime të ndryshme dhe mund të përdoret për të penguar bashkëpunimin me gjykatën e Hagës.

Human Rights Watch deklaron se fakti që ligji vlen vetëm për personat ndaj të cilëve janë ngritur akt-padi, bie qartë në kundërshtim me detyrimin e Jugosllavisë për respektimin e padive të Gjykatës së Hagës, pavarësisht nga koha kur ato janë ngritur.

XS
SM
MD
LG