Lidhje

Kalendari Historik 16 prill - 2002-04-16


Më 16 prill 1947, disa zjarre dhe shpërthime shkatërruan qytetin port, Texas City, në shtetin Teksas. U desh një muaj për të vlerësuar dëmet dhe numrin e viktimave, që i kapërcenin 500 të vdekur dhe 3 mijë të plagosur. Shpërthimi fillestar ndodhi në anijen franceze të mallrave, Grandcamp, të ankoruar në port. Një zjarr i vogël, që mendohet se nisi nga një cigar i ndezur, i hedhur pa kujdes, arriti deri tek ngarkesa me nitrat amoni e anijes, i cili po transportohej në Francë për të prodhuar pleh kimik. Por nitrati i amonit përdoret edhe për të prodhuar lëndë shpërthyese. Nga shpërthimi u ndezën zjarre dhe ndodhën shpërthime të tjera në rafineritë kimike dhe të naftës, që gjendeshin pranë dokut ku ishte ankoruar anija franceze. Forca e shpërthimit tronditi ndërtesa që ndodheshin më se 250 kilometra larg. Pjesa më e madhe e qytetit të Teksasit u desh rindërtuar.

Më 16 prill 1862 presidenti Abraham Linkoln nënshkroi ligjin që hiqte skllavërinë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, Washington. Ligji i ri përmbante një dispozitë, sipas së cilës pronarëve të skllevërve u jepej mesatarisht një shumë prej 400 dollarësh, për çdo skllav që ata lironin, në bazë të ligjit të ri. Presidenti Linkoln e kishte mbështetur ligjin e ri, si pjesë e përpjekjeve të tij para Luftës Civile, për t’i dhënë fund skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Linkoln mendonte se jugorët mund të pranonin vullnetarisht t’i jepnin fund skllavërisë, në rast se kjo bëhej gradualisht dhe në se ata kompensoheshin për humbjen e skllevërve të tyre. Por ligji i presidentit Linkoln nuk u pëlqeu jugorëve, që donin vazhdimin e skllavërisë. Ai nuk kënaqi as abolicionistët veriorë, që donin t’i jepej menjëherë fund skllavërisë.

XS
SM
MD
LG