Lidhje

Mision hetimor i OKB-së në Xhenin - 2002-04-19


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri rezolutën për dërgimin e një misioni hetimor në kampin e shkatërruar të refugjatëve palestinezë në Xhenin të Bregut Perëndimor.

Votimi për rezolutën e propozuar nga Shtetet e Bashkuara u mbajt dje vonë, pas disa orë debatesh. Në rezolutë mbështetet nisma e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Kofiu Annan, për të dërguar një ekip hetimor në Xhenin pas inkusionit ushtarak izraelit.

Një zëdhënës i OKB-së tha se ministri i jashtëm izraelit, Shimon Peres, i telefoi dje zotit Anan dhe i tha se Izraeli do të mirëpriste një mision të tillë. Ekipi hetimor nuk do të veprojë nën një mandat nga Këshilli i Sigurimit, të cilin Izraeli e shikon si organ me paragjykime, por do të jetë nën autoritetin e drejtpëdrejtë të zotit Annan.

Në rezolutën e djeshme, bëhet thirrje edhe për heqjen e kufizimeve ndaj organizatave mjekësore dhe humanitare, në mënyrë që ato të mund të ndihmojnë gjithë popullatën palestineze. Mirëpo, në tekst nuk përfshihet ndonjë referim i veçantë ndaj Izraelit.

Dje, trupat izraelite u tërhoqën nga kampi, ku palestinezët thonë se janë masakruar qindra veta, shumica civilë. Izraeli thotë se dhjetra palestinezë kanë humbur jetën, por ata ishin kryesisht luftëtarë të vrarë gjatë operacionit të kërkimit për terroristë përgjegjës për shpërthimet vetëvrasëse të kohëve të fundit.

XS
SM
MD
LG