Lidhje

Bushi shqyrton planin saudit të paqes - 2002-04-26


Presidenti Bush tha se është e nevojshme që Izraeli të tërhiqet menjëherë nga zonat palestineze të ripushtuara gjatë ofensivës së fundit.

Presidenti Bush u tha gazetarëve në fermën e tij në Teksas se Izraeli ka bërë një farë përparimi përsa i përket tërheqjes, por ai shtoi se tani është koha t’u jepet fund plotësisht operacioneve, është koha t’i jepet fund kësaj gjendjeje, siç u shpreh ai. Kjo është hera e parë që presidcenti Bush thotë personalisht që trupat izraelite duhet të largohen tani nga zonat palestineze.

Presidenti Bush tha gjithashtu se i kishte thënë Princit Trashëgimtar Abdullah të Arabisë Saudite, gjatë bisedimeve të tyre ditën e enjte, se Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të veçanta me Izraelin dhe nuk do të lejojnë shpartallimin e tij.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njofton se presidenti Bush po shqyrton një propzim saudit tetë pikash si pikënisje për të përtritur procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Princi Trashëgimtar Abdullah ia paraqituti planin presidentit Bush gjatë bisedimeve të tyre në Teksas.

Plani parashikon tërheqjen e Izraelit nga të gjitha zonat palestineze të pushtuara rishtazi, heqjen e rrethimit ndaj qytetit Ramallah, dislokimin e paqeruejtësve ndërkombëtarë dhe dënimin e dhunës nga Izraeli dhe palestinezët.

Mes masave të tjera, plani parashikon ndalimin e zgjerimit të vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, rindërtimin e zonave të shkatërruara palestineze si edhe fillimin e bisedimeve të reja për zgjidhjen politike të konfliktit.

Plani parashikon edhe rolin udhëheqës amerikan në zbatimin e rezolutës 242 të Kombeve të Bashkuara, e cila kërkon tërheqjen e Izraelit nga tokat arabe të pushtuara në luftën e vitit 1967.

Ndërkaq, javën e ardhshme në Washington do të mbahet një takim strategjik katër palësh mbi Lindjen e Mesme, me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara. Sekretari i Shtetit, Colin Powell do të takohet të enjtën në Selinë e Departamentit të Shtetit me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, ministrin e Jashtëm rus, Igor Ivanov, dhe kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Havier Solana.

XS
SM
MD
LG