Lidhje

OKB pret vendimin e Izraelit - 2002-04-27


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara thotë se pret nga Izraeli një përgjigje pozitive për të bashkëpunuar me ekipin e OKB-së për gjetje faktesh në kampin e refugjatëve në Jenin.

Kryetari i tanishëm i Këshillit të Sigurimit, rusi Sergej Lavrov, e bëri këtë njoftim mbrëmë, pas një sesioni të jashtëzakonshëm, ku u diskutua mbi një rezolutë që kërkon nga Izraeli të bashkëpunojë me grupin e OKB-së.

Diplomatët thonë se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, ka kërkuar një afat prej 24 orësh për të përpunuar hollësitë e planit. Zoti Annan bisedoi dje për këtë çështje me Ministrin e Jashtëm të Izraelit, Shimon Peres.

Ministri izraelit i Komunikacioneve, Reuven Riblin, tha se ekipi i Kombeve të Bashkuara, sipas fjalëve të tij, është i vendosur ta nxjerrë fajtor Izraelin. Përbërja e ekipit, tha ai, nuk lë pikë dyshimi se raporti i tij do të fajësojë Izraelin për shkatërrimet në Kampin e refugjatëve në Jenin.

Palestinezët thonë se ushtarë izraelitë kanë masakruar civilë në kampin e Bregut Perëndimor, gjatë ofensivës së tyre të fundit. Izraeli thotë se rreth 50 palestinezë u vranë në luftimet e ashpëra ndërmjet forcave izraelite dhe palestinezëve të armatosur.

Më parë Ministri i Jashtëm izraelit, Shimon Peres, pati thënë se burimi kryesor i mosmarrëveshjes ishte në se Kombet e Bashkuara apo vetë Izraeli do t’i zgjidhnin dëshmitarët izraelitë që do të merreshin në pyetje.

XS
SM
MD
LG