Lidhje

Rugova dëshmon  në Hagë - 2002-05-01


Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, u ballafaqua dje me ish-presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviç, gjatë dëshmisë së tij para Gjykatës ndërkombëtare të Hagës për krime lufte.

Zoti Millosheviç, i cili përballet me 66 akuza për krime lufte dhe gjenocid, që rrjedhin nga luftërat në Ballkan në vitet e 90, u përpoq të fajësonte bashkësinë ndërkombëtare për luftimet në Kosovë.

Gjatë pyetjeve që i bëri zotit Rugova, ish-presidenti jugosllav këmbënguli se zyrtarët e bashkësisë ndërkombëtare ishin përpjekur t’i shfrytëzonin shqiptarët e Kosovës si gurë shahu në përpjekje për të realizuar synimet e tyre në Ballkan. Duke dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit të akuzës, presidenti Rugova mbrojti qëndrimin se bashkësia ndërkombëtare veproi vetëm për t’u ardhur në mbrojtje shqiptarëve të Kosovës. Ai theksoi se shqiptarët po masakroheshin nga autoritetet jugosllave.

Midis zotit Millosheviç dhe Dr. Rugovës pati mospajtime rreth çështjeve të tilla si nëse luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët luftonin kundër forcave qeveritare në Kosovë, ishin një grup terrorist apo luftonin për të mbrojtur popullsinë nga shtypja qeveritare.

Gjatë dëshmisë së tij, presidenti Rugova foli hollësish rreth përndjekjes së shumicës shqiptare të Kosovës nga ana e qeverisë serbe, pasi autoritetet jugosllave i hoqën asaj autonominë në vitin 1989.

XS
SM
MD
LG