Lidhje

Kalendari Historik 7 maj - 2002-05-08


Më 7 maj 1945 Gjermania kapitulloi përballë kërkesave të aleatëve, për t’u dorëzuar pa kushte në Luftën e Dytë Botërore. Gjenerali Dwight Eisenhower, komandanti suprem i forcave aleate në Evropë, nuk mori pjesë në ceremoninë e organizuar me këtë rast në selinë e tij të përkohshme, në një shkollë të qytetit Reims, në Francë. Ai nuk pranoi të takohet me përfaqësuesit e Gjermanisë derisa ata të nënshkruanin dokumentin e kapitullimit. Kushtet e kapitullimit kërkonin që të gjithë ushtarët gjermanë, marinarët dhe pilotët e forcave ajrore, të dorëzoheshin jo më vonë se një minutë pas mesnatës së 8 majit. Gjenerali Eisenhower njoftoi se misioni i forcave aleate ishte plotësuar në orën 2 e 41 minuta, të mëngjesit, sipas kohës lokale, të datës 7 maj 1945. Qytetarët e vendeve aleate, të lodhur nga lufta, u gëzuan për përfundimin e atij që presidenti Truman e quajti “Konflikti ushtarak më shkatërrimtar në histori.” Disa muaj më vonë, në gusht të vitit 1945, edhe Japonia u dorëzua dhe me këtë mori fund Lufta e Dytë Botërore.

Më 7 maj 1965 një gjykatës rrethi në shtetin jugor të Alabamës shpalli të pavlefshëm gjykimin e Collie Leroy Wilkins, Jr, për vrasjen e veprimtares së të drejtave civile, Viola Liuzzo, më se 6 javë më parë, më 25 mars po të atij viti. Juria kishte votuar 12 me 2 për ta shpallur fajtor të pandehurin Wilkins, anëtar i organizatës raciste Ku Klux Klan. Megjithatë ligjet e shtetit Alabama kërkonin votim të njëzëshëm për ta shpallur një person fajtor për vrasje. Gjatë një seance të dytë gjyqësore në muajin tetor, një dëshmitar pohoi se e kishte parë vetë të pandehurin kur kishte qëlluar me armë zonjën Liuzzo, por juria e përbërë e gjitha nga të bardhë, votoi për ta shpallur të pandehurin Wilkins të pafajshëm. Megjithatë në dhjetor të vitit 1965 juria e një gjykate federale në Alabama gjeti të pandehurin Wilkins dhe dy anëtarë të tjerë të organizatës Ku Klux Klan, fajtorë për shkeljen e një ligji federal të vitit 1870, i cili shpallte të jashtëligjshme komplotet që u hiqnin qytetarëve të drejtat civile. Wilkins dhe dy të pandehurit e tjerë u dënuan me nga 10 vjet burgim, në një burg federal.

XS
SM
MD
LG