Lidhje

Konferenca e paqes për Lindjen e Mesme - 2002-05-11


Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheik Hamad Bin Xhassim, tha se konferenca e paqes për Lindjen e Mesme, e propozuar nga Shtetet e Bashkuara, nuk do të jetë e suksesshme pa një përgatitje të duhur dhe pa një strukturë përfundimtare.

Sheikh Hamad u takua dje në Washington me Sekretarin amerikan të Shtetit, Colin Powell, i cili në fillim të javës bëri të njohura planet për mbajtjen e konferencës në qershor.

Sheiku Hamad tha se pjesëmarrësit në konference duhet të dinë se cilat janë synimet e takimit dhe të caktohet një farë afati, ose përndryshe, tha ai, bisedimet do të shndërrohen në grindje.

Ministri i Jashtëm i Katarit tha gjithashtu se mbajtja e konferencës në qershor nuk lë kohë të mjaftueshme për të bërë përgatitjet e nevojshme nga të gjitha palët.

Sheiku Hamad tha se konference duhet të mbështetet në propozim saudit të paqes, që parashikon normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve arabe dhe Izraelit në shkëmbim të tërheqjes së plotë izraelite nga tokat e pushtuara gjatë luftës së vitit 1967.

Udhëheqësit arabë e miratuan nismën saudite të paqes në takimin e tyre të nivelit të lartë që mbajtën në Bejrut nga fundi i marsit. Izraeli e ka cilësuar nismën saudite si interesante, kurse Washingtoni ka shprehur mbështetje të rezervuar për të.

XS
SM
MD
LG