Lidhje

Kryeministri i Kosovës në SHBA - 2002-05-21


Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell lavdëroi kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi për angazhimin e tij në zhvillimin e institucioneve demokratike.

Zoti Powell i bëri komentet dje në takimin që pati në Departamentin e Shtetit me kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi. Kjo është vizita e parë që zoti Rexhepi bën jashtë Kosovës.

Në vizitën e tij, kryeministri Rexhepi mori lavdërimet e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, i cili përmendi mbështetjen e fortë të treguar nga zoti Rexhepi për një Kosovë shumëetnike dhe të integruar.

Në takimin e djeshëm, në rend të ditës ishin çështjet politike, ekonomike dhe të sigurisë, por vemendja u përqendrua sidomos në stabilizimin rajonal dhe në zhvillimin demokratik të Kosovës.

Natoja ka aktualisht në Kosovë rreth 38 mijë paqeruajtës, të cilët kanë sjellë një qetësi relative në rajon. Stabiliteti ka marrë një shtytje të re me zgjedhjet parlamentare të zhvilluara vitin e kaluar, nga të cilat doli qeveria e kryesuar nga zoti Rexhepi.

Administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Michael Steiner ka paraqitur 8 standarde që duhen plotësuar nga organet vetqeverisëse për të matur ecurinë e institucioneve të përkohshme të Kosovës.

Kryeministri Rexhepi tha se për të çuar më tej punën e nisur në plotësimin e këtyre standardeve, ai kishte kërkuar në takimin me zotin Powell forcimin e rolit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

”Kërkuam që edhe ma tutje, Shtetet e Bashkuata të jenë të pranishme në të gjitha aspektet për arësye se roli udhëheqës i SHBA është i domosdoshëm për të çuar deri në fund proceset të cilat kanë filluar të zhvillohen në Kosovë, tha zoti Rexhepi.”

Zoti Rexhepi mendon se Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol kritik në realizimin e statusit të ardhshëm të Kosovës. Ai e quajti rolin amerikan një garanci jo vetëm për demokratizimin e Kosovës por edhe për përcaktimin e statusit të saj të ardhshëm politik.

Udhëheqësit politikë të Kosovës shpresojnë se plotësimi i standardeve të përcaktuara nga administratori Steiner do të afronte realizimin e kërkesave të tyre të përsëritura për një status politik përfundimtar.

Por zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Richard Boucher u tha dje gazetarëve se standardet nuk lidhen drejtpërdrejt me formën e ardhëshme politike të Kosovës.

”Procesi i standardeve nuk është i lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës, i cili do të shqyrtohet në kohën e duhur në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.”

Kryeministri Rexhepi erdhi në Uashington edhe me një kërkesë tjetër. Sipas tij, 8 standardet e përcaktuara nga UNMIK-u nuk mund të realizohen pa u dhënë më shumë kompetenca organeve vetqeverisëse të Kosovës. Në takimin me zotin Powell, kryeministri i ri shtroi midis të tjerash çështjen e transferimit të më shumë kompetencave.

”Treguam se ne i përkrahim 8 pikat kryesore të cilat i ka referuar zoti Steiner edhe për realizimin e tyre ne duhet të marrim më tepër përgjegjësi, më tepër kompetencë, për arësye se të kërkohet vetëm përgjegjësia pa rritjen e kompetencave është vështirë të realizohet, tha kryeminisri Rexhepi.”

Nuk ka dyshim se një ndër kërkesat kryesore të komunitetit ndërkombëtar për udhëheqësit e rinj politikë të Kosovës është kthimi i të shpërngulurve serbë dhe integrimi i tyre në një jetë shumëetnike.

Kryeministri Rexhepi ka patur kohët e fundit takime me pjestarë të komunitetit serb, të cilët i ka inkurajuar të integrohen në jetën shoqërore dhe politike të Kosovës. Kjo është pikërisht ajo që dëshiron të dëgjojë Departamenti amerikan i Shtetit, i cili me fjalët e zëdhënësit Boucher shprehu lavdërim ndaj mbështetjes që zoti Rexhepi ka treguar për një Kosovë shumëetnike e të integruar.

Në komentet e tij për Zërin e Amerikës, kryeministri i Kosovës tha se çdo njeri ka të drejtë të kthehet në pronën e vet por pa presione politike, një nëntekst i qartë ky për disa përpjekje të Beogradit për ta politizuar çështjen e kthimit të serbëve.

”Strategjia jonë është shumë e thjeshtë, çdo njeri ka të drejtë të kthehet në pronën e vet. Mirëpo ai kthim duhet të jetë vullnetar pa kurfarrë presioni politik dhe jo për qëllime politike të jenë të manipuluar, tha zoti Rexhepi.”

Por kryeministri tha gjithashtu se edhe shqiptarët kanë detyrim që të krijojnë një klimë të favorshme politike për kthimin e të shpërngulurve serbë në pronat e tyre.

Qendrimi i zotit Rexhepi në Uashington përkon me vizitën që po bën këtu kryeministri i Serbisë Zoran Djindjic, i cili po i kërkon Departamentit të Shtetit të zhbllokojë miliona dollarë ndihma të pezulluara për Jugosllavinë.

Dje, zoti Rexhepi pati gjithashtu takime me zyrtarë të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku u bisedua për projektet e institucioneve financiare ndërkombëtare në Kosovë. Në programin e tij të vizitave përfshihen takime me ligjvënës amerikanë dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan.

XS
SM
MD
LG