Lidhje

Lajme nga Tirana - 2002-05-22


Rrjeti shqiptar kundër dhunës Gjinore dhe Trafikimit, i përbërë nga disa organizata joqeveritare të grave, u shpreh sot se gjatë vitit të fundit trafiku i vajzave shqiptare ka pësuar një ulje. Megjithëse për këtë fenomen nuk ka shifra të sakta as nga strukturat shtetërore, konstatimi për rënien e trafikut vjen nga numri gjithnjë e më i vogël e vajzave shqiptare të kapura nga policitë europiane dhe të riatdhesuara në Shqipëri. Sipas rrjetit kundër dhunës gjinore dhe trafikimit më të prekura nga ky fenomen janë kryesisht zonat rurale, ku mungon informacioni, shkollimi, ku ka nivele të larta papunësie dhe varfëri më të madhe. Ndër rrethet në të cilat është më i shtrirë trafikimi i vajzave janë ato të Beratit, Fierit, Lushnjës, Shkodrës apo Lezhës. Në Shqipëri aktualisht veprojnë disa qendra rehabilitimi për vajzat të cilat kanë qenë viktima të trafikut. Në këto qendra ofrohet asistencë profesionale për të bërë të mundur riintegrimin e këtyre vajzave në jetën normale.

******************************************

Kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano kërkoi sot gjatë një takimi të socialistëve të Beratit, që konferencat e degëve lokale të shprehen për kandidatin për president të ardhshëm të vendit. Megjithëse ende nuk e ka shprehur zyrtarisht, zoti Nano ka lënë të kuptohet hapur se mund të jetë kandidati kryesor për postin e kreut të ardhshëm të shtetit. Propozimi i kryetarit të partisë socialiste është kundërshtuar prerazi në mbledhjen e Beratit nga sekretari organizativ Petro Koci, sipas të cilit ky propozim është antistatutor dhe populist. Zoti Koci ka deklaruar se i vetmi organ i partisë socialiste që do të përzgjedhë kandidatin për president është komiteti i Përgjithshëm Drejtues. Situata në partinë socialiste për ceshtjen e kreut të ardhshëm të shtetit sa vjen e komplikohet. Shumë nga njerëzit që e përkrahën kryetarin Nano në lëvizjen e nisur prej tij e cila u quajt lëvizja për katarsis, tashmë janë kthyer deri në kundërshtar të tij, sapo kryetari socialist e braktisi këtë nismë për hir të kompromiseve brenda partisë. Nga ana tjetër, edhe presidenti aktual Rexhep Mejdani është shprehur se nuk do të refuzonte rikandidimin e tij nëse do të kishte një propozim për këtë.

XS
SM
MD
LG