Lidhje

Ndryshime të politikës shqiptare në Maqedoni - 2002-05-22


Politika shqiptare në Maqedoni duket se do të pësojë edhe një herë ndryshime me daljen e një partie të re nga ish-UCK-ja, e drejtuar nga Ali Ahmeti, që njëkohësisht kryeson këshillin bashkërendues të bllokut politik shqiptar, i cili nuk po funksionon pas shkëmbimit të akuzave të ashpra midis përfaqësuesve të partive kryesore shqiptare në vend. Burime nga brenda këshillit, të afërt me ish-UCK-në thonë për Zërin e Amerikës, se partia e re për të cilën ende nuk ka emër, platformë, apo udhëheqës zytarë, do të ketë njerëz të rinj me një mënyrë të re të të menduarit dhe do të dalë nga ish-strukturat e UCK-së. Megjithatë këto burime hedhin poshtë mundësinë e shkrirjes së kësaj partie me ndonjë parti tjetër dhe theksojnë se nuk dëshirojnë të kenë figura të korruptuara në partinë e re. Dalja e kësaj partie, do të ndryshonte edhe vetë këshillin bashkërendues të bllokut politik shqiptar.

Do të ketë bashkëpunim dhe bashkërendim brenda bllokut shqiptar përmes këshillit, por jo në mënyrën fillestare, pohon ky burim i afërt me ish-UCK-në. Burime nga PDSH e Arbër Xhaferrit, thonë se nëse formohet partia e re e dalë nga ish-strukturat e UCK-së, dhe nëse shihet e arsyeshme që këshilli të funksionojë, atëherë ata që bëjnë pjesë në të duhet të ulen dhe të bisedojnë për atë sesi do të duhet të duket këshilli i riaktivizuar. PDSH përjashton mundësinë e daljes së fraksioneve politike brenda për brenda ish-UCK-së, duke thënë se ata ish-anëtarë të UCK-së që kanë qenë anëtarë apo simpatizantë të partive të ndryshme janë kthyer në to. PDSH e lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me partinë e dalë nga ish-UCK-ja duke thënë se të dy palët mund të gjejnë më shumë pika të përbashkëta me njëra-tjetrën jo vetëm në zhvillimet e tashme por edhe për zgjedhjet e ardhshme. PDSH thotë gjithashtu se po përgatit një platformë të qartë për punën e saj në të ardhmen, e cila bazhohet në atë sesi duhet ndërtuar paqja në Maqedoni, duke theksuar vecanërisht nevojën për ndryshimin e mendësisë maqedonase.

Për PPD-në e kryesuar tani nga Abdurrahman Haliti, vazhdon të mbetet nevoja për ringjalljen e këshillit bashkërendues. Burime nga kjo parti thonë se nuk janë marrë vendime se cilat parti do të ishin më të afërta me të, por shtojnë se dalja e një partie të re nga ish-UCK-ja do të nxirrte në skenë tre fraksione brenda për brenda saj. Do të ketë polarizime, thonë burime brenda kësaj partie, e cila e bazon kryesisht platformën e saj në cështjen e arsimit të lartë për shqiptarët në Maqedoni.

PDK e Kastriot Haxhirexhës, nuk beson se këshilli bashkërendues do të riaktivizohet me pjesëmarrjen e të gjitha palëve në të. Megjithatë, PDK nuk beson në mundësinë e fraksioneve brenda ish-UCK-së duke thënë se partia e re do të jetë trashëgimtare e ish-UCK-së. PDK thotë se pręt të shohë me cfarë platforme do të dalë kjo parti e re dhe se do të ishte e gatshme të bashkëpunonte me të gjitha ato forca politike që mbështesin reformimin e politikës dhe luftimin e krimit në politikë.

Dalja e një partie të re nga ish-strukturat e UCK-së është tashmë një çështje ditësh.

XS
SM
MD
LG