Lidhje

Gjendje e rrezikshme midis Indisë e Pakistanit - 2002-05-25


Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, tha se tensioni midis Indisë dhe Pakistanit ka krijuar një gjendje të rrezikshme dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të tërhiqen nga pozitat e luftës.

Sekretari Powell e bëri këtë koment dje në Rusi, ku po shoqëron presidentin Bush. Zoti Powell tha se shpreson që India dhe Pakistani do ta kuptojnë që ato ndodhen në një pikë të rrezikshme.

India dhe Pakistani kanë grumbulluar më shumë se një milionë trupa përgjatë kufirit të tyre të përbashkët.

Sekretari Powell zhvilloi dje një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm indian, Xhauant Sing, në përpjekje për të ulur tensionin. Të ejtën, ai zhvilloi një bisedë të ngjashme telefonike me presidentin e Pakistanit Pervez Musharaf.

Pakistani e acaroi edhe më shumë gjendjen dje kur njoftoi se gjatë disa ditëve të ardhshme do të kryejë një sërë provash me raketa. Zyrtarë pakistanezë i cilësojnë provat si rutinë dhe thonë se nuk kanë lidhje me gjendjen e krijuar. Mirëpo, Shtetet e Bashkuara e cilësuan njoftimin për prova si zhgënjyes dhe u bënë thirrje të dy rivalëve brëthamorë të ndërmarrin hapa për uljen e tensionit.

India akuzon Pakistanin se mbështetë separatistët myslimanë, të cilët kanë kryer sulme terroriste në Kashmirin indian. Pakistani i mohon këto akuza, duke thënë se këtyre ekstremistëve u jep vetëm mbështetje morale.

Ndërkohë, Komisioneri evropian, Chris Patten, ndodhet në rajon për bisedime me zyrtarë të të dyja vendeve. Ai thotë se India po e humbet durimin dhe se sipas tij Pakistani duhet të ndalojë veprimtarinë terroriste në Kashmir.

Udhëheqësit amerikanë dhe evropianë shfaqin shqetësimin se tensioni në Azinë jugore mund të çojë në një luftë bërthamore që do të shkaktonte vdekjen e miliona njerëzve.

XS
SM
MD
LG