Lidhje

Ali Ahmeti krijon partinë Bashkimi Demokratik për Integrim - 2002-06-05


Ish udhëhehqësi politik i UÇK-së Ali Ahmeti shpalli sot partinë e tij të dalë nga ish-strukturat e UCK-së të quajtur Bashkimi Demokratik për Integrim, simboli i së cilës është fusha blu me 6 yje, në anë të shkronjave BDI të partisë.

Platforma politike e partisë së re bazohet në zbatimin e plotë të marrëveshjes së paqes, krijimin e një Maqedonie të qëndrueshme dhe me shoqëri shumëetnike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe vendosjen e mekanizmave për ta parandaluar rritjen e ij, krijimi i një demokracie funksionale, riintegrimi i ish-luftëtarëve në shoqëri dhe kthimi i të gjithë refugjatëve në shtëpitë e veta, rivendosja e mirëbesimit ndëretnik, decentralizimi i qeverisjes dhe zgjidhja e problemit të arsimit të lartë në gjuhën shqipe.

Zoti Ahmeti tha sot në kuvendin themelues të partisë të mbajtur në Tetovë, se është i sigurtë në rrugën politike dhe se do të vazhdojë të punojë për të realizuar kërkesat kombëtare dhe njerëzore. ish-udhëhehqësi i luftëtarëve shqiptarë bëri thirrje që zgjedhjet e ardhshme të jenë të drejta dhe demokratike dhe u kërkoi partive shqiptare që të përmbahen nga përdorimi eventual i dhunës.

Zoti Ahmeti tha se partia e tij është e hapur për të gjitha komunitetet e tjera etnike dhe u bëri thirrje maqedonasve të përkrahin parimet e partisë së tij. Sipas zotit Ahmeti, marrëveshja e Ohrit është fillimi i ndërtimit të atdheut të përbashkët për të gjithë. Ai la të hapur mundësinë e koalicioneve me cilëndo palë duke thënë se ende është herët të flitet për këtë.

Ndërkohë po sot, në një zhvillim tjetër, kryeministri maqedonas Lubço Georgievski, tha se nuk kishte pranuar të merrte pjesë në një konferencë të përbashkët me kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës që pritej të mbahej në Ohër, në lidhje me cështjet kufitare.

Kryeministri maqedonas i cili komentoi edhe bisedimet midis përfaqësuesve të kishës maqedonase dhe asaj serbe lidhur me njohjen e kishës maqedonase, tha se sinodi i kishës maqedonase duhet të gjejë një zgjidhje për këtë problem. Zoti Georgievski tha se do të mbështeste cilindo vendim që do të merrte sinodi i shenjtë i kishës ortodokse maqedonase.

Kisha serbe nuk e njeh kishën maqedonase si autoqefale. Përfaqësues të të dy kishave po zhvillojnë bisedime lidhur me gjetjen e një zgjidhje për problemin ndërkohë që në opinionin maqedonas kjo çështje konsiderohet mjaft e rëndësishme për identitetin e maqedonasve.

XS
SM
MD
LG