Lidhje

Kalendari Historik 7 qershor - 2002-06-07


Më 7 qershor të vitit 1862, Shtetet e Bashkuara dhe Anglia nënshkruan një traktat për t’i dhënë fund tregëtisë së skllevërve. Marrëveshja i jepte secilit vend të drejtën për të kontrolluar anijet tregtare të vendit tjetër për transportimin kontrabandë të skllevërve, ndërsa lundronin nëpër një zonë të caktuar të Oqeanit Paqësor. Në bazë të traktatit krijoheshin gjithashtu gjykata ndërkombëtare në Sierra Leone, Kepin e Shpresës së Mirë dhe në New York për të gjykuar kontrabandistët. Deri në vitin 1864, tregëtia e skllevërve nga Afrika kishte marë fund si rezultat i traktatit anglo-amerikan dhe bllokadës së porteve jugore gjatë luftës civile amerikane.

Më 7 qershor të vitit 1776, delegati nga shteti Virxhinia, Richard Henry Lee propozoi një rezolutë në kongresin kontinental, në të cilën bëhej thirrje për pavarësinë e kolonive amerikane nga Anglia. Zoti Lee e propozoi rezolutën në kuvendin e delegatëve nga kolonitë e Anglisë në Amerikë. Ai propozoi rezoluta të tjera, si ajo për një aleancë me Francën kundër Anglisë si dhe një plan për bashkimin e kolonive amerikane në një union kombëtar. Propozimet e zotit Lee çuan në deklaratën e pavarësisë pas më pak se një muaji më 4 korrik të vitit 1776. Idetë e tij të tjera u bënë pjesë e politikës së jashtme amerikane dhe më në fund pjesë e Artikujve të Konfederatës, karta e parë kombëtare e Shteteve të Bashkuara. Më parë, zoti Lee ishte një prej udhëheqësve të kongresit kontinental, që bënë thirrje për opozitë të armatosur kundër taksave britanike në Amerikë. Aristokrati nga Virxhinia shërbeu në të dy kongreset kontinentalë dhe nënshkroi si deklaratën e pavarësisë edhe kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Më vonë, zoti Lee shërbeu në kongresin e parë amerikan si një prej senatorëve të parë të Virxhinias.

XS
SM
MD
LG