Lidhje

Bushi nuk  pranon të caktojë afate - 2002-06-08


Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, u nis për në Washington, për bisedime me presidentin Bush, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po përpiqen për rifillimin e shpejtë të procesit të paqes në Lindjen e Mesme.

Presidenti Bush dhe kryeministri Sharon do të takohen nesër.

Gazetat izraelite shkruajnë se zoti Sharon do të theksojë përsëri kundërshtimin e tij për të hyrë në bisedime me palestinezët para se t’i jepet fund terrorizmit.

Pritet që ai të bëjë thirrje edhe për ristrukturimin e Autoritetit Palestinez.

Presidenti Bush dhe homologu i tij egjiptian, Hosni Mubarak, u dhanë fund dje bisedimeve dy ditëshe në vendpushimin presidencial, Kamp David. Më pas, presidenti Bush tha se nuk është ende i gatshëm të përcaktojë afatin për themelimin e shtetit palestinez, por theksoi se hapat drejt realizimit të këtij objektivi duhet të fillojnë menjëherë.

Presidenti Bush tha se një shtet i ri do t’i jepte shpresë popullit palestinez se paqja është e mundur dhe se terrorizmi mund të mposhtet.

Ai bëri thirrje edhe për ndërtimin e menjëhershëm të institucioneve të nevojshme për një shtet. Kjo përfshin atë që presidenti Bush e cilësoi si qeveri të hapur palestineze.

Presidenti Mubarak u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve që t’i japin rastin zotit Arafat që të ndalojë terrorizmin dhe të reformojë institucionet palestineze.

Ai kërkoi përsëri që Izraeli të ndalojë zgjerimin e vendbanimeve hebraike dhe inkursionet ushtarake në territorin palestinez. Udhëheqësi egjiptian i bëri thirrje edhe Autoritetet Palestinez që të ndalojë terrorizmin.

XS
SM
MD
LG