Lidhje

Incident në veri të Tel Avivit - 2002-06-11


Një vetëvrasës kreu shpërthimin në një restorant në qytetin izraelit të Herzlijas, paksa në veri të Tel Avivit. Policia izraelite njoftoi se nga shpërthimi u plagosën 9 veta si dhe gjeti vdekjen autori i tij. Sipas lajmeve të mëparshme nga Izraeli, 15 veta ishin plagosur dhe dërguar në spital.

Në një tjetër incident, autoritetet izraelite thanë se një bombë në anë të rrugës shpërtheu afër një autobuzi shkolle në Bregun Perëndimor dhe shkaktoi plagosjen e 3 adoleshentëve.

Policia tha se shpërthimi ndodhi ndërkohë që nxënësit ktheheshin tek autobuzi pasi kishin mbledhur fruta në një pemishte aty pranë. Autobuzi i blinduar i kishte transportuar nxënësit në këtë zonë nga kolonia hebraike Kirjat Arba, afër qytetit të ndarë të Hebronit.

Ndërkohë, forcat izraelite vazhdojnë të qëndrojnë në disa pjesë të Ramallahut, ku ata vendosën ndalim qarkullimin dhe kryen një operacion në kërkim të ekstremistëve. Ushtria izraelite njoftoi se rreth 30 të dyshuar ekstremistë janë arrestuar.

XS
SM
MD
LG