Lidhje

Intervistë me specialistin ligjor Scott Carlson - 2002-06-11


VOA: Zoti Carlson studimi i fundit i sistemit gjyqësor në Shqipëri flet për një sistem të dobët, me shumë të meta. Në raport theksohet se “problemi i korrupsionit në drejtësi mbetet një kërcënim serioz për funksionimin e këtij sistemi”. Në bazë të analizës që ka bërë qendra juaj, cilat janë të metat kryesore, ku çalon drejtësia shqiptare?

S.C. Ka një numër fushash në sistemin e drejtësisë në Shqipëri që sipas studimit duhen përmirësuar. Njëra prej tyre është se duhet krijuar një metodë më e efektshme arësimimi. Sipas studimit shkolla e përgatitjes se gjykatësve ka qenë e suksesshme, por duhen vazhduar reformat në fakultetin juridik dhe në vazhdimesinë e kualifikimit juridik. Po ashtu një punë më e mirë duhet bërë me zbatimin e rregullave nga gjykatësit, si detyrimi i dëshmitarëve për t’u paraqitur në procese. Por, po ashtu do të thoja se jo të gjitha gjërat janë keq për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Studimi po ashtu tregon se ka edhe pika të forta. Kur e krahasojmë me vendet e tjera në rajon, Shqipëria mund të keteëdisa pika ku mund të përdoret si shembull.

VOA: Në raport ndër të tjera thuhet se sipas një të anketuari “i mirë quhet një gjykatës që nuk kërkon rryshfet, por që i pranon paret që i jepen, kurse i keq, ai që kërkon drejtëpërdrejtë rryshfet”. Sa shqetësuese është kjo prirje për shoqërinë në përgjithësi? A nuk eliminon ajo gjithë trysninë publike për përmirësimin e sistemit gjyqësor?

S.C. Po ky që sapo përmendët është një nga aspektet më të dobëta të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në se publiku nuk i ushtron trysni sistemit të drejtësisë për të qënë i drejtë, transparent dhe jo i korruptuar, atëhere drejtësia që i nënshtrohet edhe trysnive të tjera nga ata që e shtyjnë drejt korrupsionit do ta ketë të vështirë t’i rezistojë. Është shumë e rëndësishme që publiku të kërkojë më shumë nga drejtësia. Ajo që përmendët ju është një fenomen shumë i përhapur në shoqërinë shqiptare që ndikon edhe në aspekte të tjera të sistemit të drejtësisë. Për fat të keq analiza që kemi bërë për Shqipërinë, në se krahasohet për shembull me Kosovën dhe Malin e Zi, tregon se presioni mbi drejtësinë në Shqipëri nga individe të ndryshëm për përfitime, që përfshin edhe pagimin e rryshfeteve, është më i madh se në dy rastet e tjera.

VOA: Në raport nuk shihen rekomandime se si mund të përmirësohet sistemi i drejtësisë. Por, cili do të ishte ai faktor kyç, që do të sillte një ndryshim të gjendjes? Trysnia e publikut, forcimi i ligjeve, apo qëndrueshmëria politike?

S.C. Përgjigja e shkurtër, të gjitha këto. Në mënyrën se si është hartuar raporti, nuk kemi patur parasysh dhënien e rekomandimeve, por të shihen prirjet që dominojnë, si funksionon sistemi i drejtesisë, ne kemi renditur 30 kategori vlerësimi. Në disa prej tyre Shqipëria paraqitet mirë, në disa jo aq mirë dhe në disa të tjera keq. Ne i përmendëm disa prej fushave ku duhet bërë përmirësim dhe sa më shpejt aq më mirë. Por kjo është një punë që politikanët duhet ta bëjnë, që publiku duhet të tregohet i interesuar, nuk ka një përgjigje të thjeshtë. Vetë gjykatësit duhet të fillojnë të mbajnë më shumë përgjegjësi.

VOA: Kur flitet për korrupsionin në Shqipëri përmendet ai ai në politikë ashtu edhe ai në sistemin e drejtësisë. Çfarë ndikimi ka paqëndrueshmëria politike në Shqipëri për sistemin e drejtësisë?

S.C. Është interesante, në shumë vende që ne kemi aktivitet, kjo është e vërtetë edhe në Shtetet e Bashkuara, njerëzit e shohin sistemin e drejtësië si një element stabiliteti, në momente paqëndrueshmërie politike. Për shembull, gjatë zgjedhjeve presidenciale në Amerikë para dy vjetësh. Në rastin e Shqipërisë, ashtu siç e cilësuat ju korrupsionin dhe si arrin në përfundimin studimi për korrupsionin, del një prirje e dukshme që nuk i lejon qytetarët, politikanët dhe ekspetrtët ligjorë që t’i drejtohen një sistem të caktuar të shoqërisë për mbështetje kur kanë nevojë për të. Duke qënë se në Shqipëri është futur në kulturë që gjithshka duhet bërë me negociata, pra me shkëmbime favoresh, dhe ashtu siç shihet kjo në sistemin politik të vendit ashtu shihet edhe në sistemin e drejtësisë. Prandaj krijohet një klimë ku kudo që të drejtohesh duhet të negociosh për të drejtat, në vend që të gjesh mbështetje tek disa standarte objektive. Janë pikërisht këto standarte objektive që ofron një sistem të mirë e funksionues gjyqësor. Por kjo kërkon edhe mbështetje politike. Për t’iu rikthyer shembullit qe përmenda më lart, për zgjedhjet tona presidenciale këtu, çështja u zgjidh se klasa politike ishte e përgatitur të pranonte vendimin e gjyqësorit. Para disa javësh ne biseduam bashkë këtu për konfliktin e fundit në Shqipëri midis politikanëve dhe gjykatës kushtetuese, dhe ajo tregon se në Shqipëri ka ende vend për dialog për këtë çështje.

XS
SM
MD
LG