Lidhje

Në Maqedoni është bërë përparim me paketën e ligjeve zgjedhore - 2002-06-13


I dërguari i posacëm i BE-së në Maqedoni, Alen Le Roi bëri të ditur sot se është arritur përparim në lidhje me paketën e ligjeve zgjedhore, por shtoi se nuk mund të jepte hollësi për këtë. Zoti Le Roi tha se konsultimet do të vazhdojnë por hollësi nuk do të jepen derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare. I dërguari evropian theksoi se shpresohet se do të gjendet një zgjidhje, por deri tani nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar.

Ndërkohë po sot, autoritetet maqedonase njoftuan për një incident që sipas tyre kishte ndodhur në Strazhë, në zonën kufitare midis Kosovës dhe Maqedonisë. Ministria maqedonase e mbrojtjes bëri të ditur se sot paradite ishte qëlluar me armë zjarri automatike kundër kullës së kontrollit në Strazhë dhe se sulmuesit sipas saj kishin qëlluar me rreth 300 plumba, por pa shkaktuar viktima. Po sipas ministrisë, ushtarët maqedonas i ishin përgjigjur sulmit me armë këmbësorie. Një grup i ushtrisë maqedonase, së bashku me zyrtarë të NATO-s dhe OSBE-së, po hetojnë në lidhje me incidentin.

Autoritetet maqedonase njoftuan për incidentin në kufi në një kohë kur policia shumëetnike filloi sot patrullin 24 orësh në gjithë fshatrat e Tetovës, gjë që u konsiderua si një fund i suksesshëm nga OSBE-ja në Shkup.

Zyra e OSBE-së tha se kjo hap rrugën për forcimin e rendit dhe sistemit ligjor dhe ndihmon në krijimin e kushteve për kthimin e të zhvendosurve. Ndërkohë po sot, opozita maqedonase, LSDM i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së së kryeministrit Lupco Georgievski që të distancohet plotësisht nga angazhimi politik i ish pjesëtarëve të UÇK-së në PDSH dhe ta pamundësojë përfshirjen e tyre të mëtejshme në institucionet shtetërore të Maqedonisë.

LSDM ka thënë sot se në bisedimet midis udhëheqësve politikë për arritjen e një marrëveshje për ligjet e mbetura nga paketa që duhet të miratohet në parlament, është bërë përparim i vogël në bisedime, dhe se janë larg ndonjë marrëveshjeje. Opozita maqedonase ka thënë gjithashtu se po bëhen përpjekje që në zgjedhjet e shtatorit të shkohet me ligjet e vjetra zgjedhore.

XS
SM
MD
LG