Lidhje

Parlamenti i Maqedonisë miratoi sot pjesën e mbetur të ligjeve - 2002-06-19


Parlamenti i Maqedonisë miratoi sot pjesën e mbetur të ligjeve që dalin nga marrëveshja e paqes, duke lënë për në fund të mandatit të vet vetëm dy ligje, ligjin për dokumentat e udhëtimit, pashaportat që sipas vendimit të djeshëm të qeverisë do të jenë edhe në gjuhën shqipe, në brendi dhe në ballinën e pashaportës, dhe ligjin për financimin e pushtetit local. Parlamenti miratoi sot ligjet që zyrtarizojnë përfundimisht përdorimin e gjuhës shqipe në administratë dhe në jetën publike, duke i dhënëkështu asaj statusin e gjuhës së dytë zyrtare në Maqedoni. Sipas kushtetutës së re të Maqedonisë, ai grup etnik që përbën 20 përqind të popullsisë në këtë vend, do të ketë të drejtë të përdorë gjuhën e vet amtare në komunikimin me adminstratën dhe në jetën publike krahas gjuhës së parë zyrtare, maqedonishtes.

Po sot, zyrtarë të NATO-s në Shkup thanë se nuk mund të konfirmonin njoftimet e dhëna nga ministry i brendshëm Lube Boshkovski për hyrjen e një grupi të armatosur prej 20 personash dje nga Kosova në Maqedoni dhe as njoftimet e ushtrisë së Maqedonisë për një sulm mbi një kullë kontrolli të ushtrisë në Strazhë në kufirin Kosovë-Maqedoni ku sipas një zëdhënësi të ushtrisë kishte pasur shkëmbim zjarri për 10 minuta midis rojave maqedonase të kufirit dhe personave të armatosur.

Një zëdhënës i NATO-s në Shkup tha se aleanca nuk mund të konfirmonte informatacionet se disa ditëve të fundit ka pasur lëvizje të disa personave në pjesën veriore të Tetovës ose se ekzistojnë ndonjëlloj kampesh për stërvitjen e tyre.

Zëdhënësi, Kreg Redklif tha gjithashtu se NATO nuk mund të konfirmojë as incidentin e djeshëm në "Strazhë", sepse ekipet që janë dërguar atje nuk kanë gjetur dëshmi që ai ka ndodhur. Megjithatë, edhe sot autoritetet maqedonase njoftuan për një incident tjetër. Sipas grupit qeveritar për menaxhimin e krizës, një pikë kontrolli e policisë në vendin e quajtur Zhizharnicë në Tetovë ishte sulmuar mbrëmë nga persona të paidentifikuar, por plumbat kishin përfunduar në thasët mbrojtës të rërës. Grupi qeveritar për menaxhimin e krizave tha se nuk kishte pasur të plagosur dhe se policët nuk ishin kundërpërgjigjur ndaj sulmit.

Njoftimet e herëpashershme për incidente bëhen në një kohë kur pritet që më 25 qershor, pritet të fillojë vënia e gurëve kufitarë në vijën kufitare midis Maqedonisë, Bullgarisë, Jugosllavisë dhe Kosovës. Tre gurët e parë kufitarë që do të shënojnë fillimin e përcaktimit fizik të vijës kufitare, do të jenë në kufirin Maqedoni-Bullgari-Jugosllavi.

XS
SM
MD
LG