Lidhje

Trajkovski kundërshton projektligjin e dokumenteve të udhëtimit - 2002-06-20


Presidenti maqedonas Boris Trajkovski e kundërshton projektligjin për dokumentet e udhëtimit (pasaportat), të cilin qeveria e miratoi në mbledhjen e saj të fundit. Zoti Trajkovski u tha sot gazetarëve se me këtë ligj kthehen sërish dilemat për të cilat ai ka menduar se janë kapërcyer. Ai tha se personalisht është i befasuar me propozimin se si duhet të duket dokumenti i udhëtimit:

"Sepse me këtë propozim promovohen dy lloj dokumentesh udhëtimi që do ti kenë qytetarët e Maqedonisë", shpjegoi zoti Trajkovski duke e vlerësuar projekt-ligjin e qeverisë si një element jashta kornizave të Marrëveshjes së Ohrit.

Ai tha se identiteti i bartësit të pasaportës theksohet në faqen ku qëndrojnë të dhënat personale, ndërsa shtoi se e ka paramenduar këtë dokument si diçka që paraqet pjesë të komunikimit juridik – ndërkombëtar, ku gjuha maqedonase duhet të qëndrojë si gjuhë e vetme zyrtare dhje kjo ka mbështetjen në amëendamentin shtatë të Kushtetutës, sipas presidentit Boris Trajkovski.

Edhe Lidhja Social Demokrate, partia më e madhe e opozitës maqedonase ka paralajmëruar se do ta bllokojë ligjin që të mos miratohet në Parlament. Nënkryetari i kësaj partie Nikolla Popovski ka theksuar qëndrimin e partisë që është identik me atë të presidentit të vendit. Zoti Popovski konsideron se me një ligj si ky që e mbështetë qeveria do të shkohet drejt federalizimit të Maqedonisë.

Për miratimin e ligjit nevojitet shumica e thjeshtë në Parlament. Por pa deputetët e LSD vështirë se mund të votohet ligji. Vetëm deputetët shqiptarë dhe ata të partisë së kryeministrit VMRO-DPMNE përbëjnë së bashku më pak se 60 vota në Parlament, shifër kjo e pamjaftueshme për të votuar një ligj. Megjithëse, edhe zëdhënësi i VMRO-së Gjorçev i ka thënë sot një televizioni të Shkupit se deputetët e kësaj partie nuk do ta mbështesin ligjin dhe me gjasë qeveria do ta tërheqë propozimin.

Siç dihet, qeveria e dha pëlqimin që në pamjen e jashtme të pasaportave, për shqiptarët të shkruhet edhe në gjuhën dhe alfabetin e tyre.

Kjo çështje është e vetmja që nuk gjeti vend në Parlament së bashku me paketën e ligjeve zgjedhore dhe ligjet tjera që u miratuan dje dhe pardje, ndërsa përfaqësuesit ndërkombëtarë James Holmes i SHBA dhe Alain Le Roy i BE e kanë patur problemin numër një për ndërmjetësim pikërisht punën e pasaportave.

Në një zhvillim tjetër, Parlamenti në Shkup e miratoi Marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Maqedonisë për tregëti të lirë midis këtyre dy vendeve.

XS
SM
MD
LG