Lidhje

Një shkrim i botuar fundit ngjall shqetësim në Shtëpinë e Bardhë - 2002-06-24


Një shkrim i botuar fundit ka ngjallur shqetësimin e Shtëpisë së Bardhë dhe të Kongresit. Artikulli i gazetës Washington Post ku citohen dy mesazhe në arabisht, që paralajmëronin sulme një ditë para 11 shtatorit, po shkakton debate mbi përdorimin e informacioneve sekrete, që shpesh konsiderohet i pakujdesshëm. ”Informacioni i dhënë ishte tepër i hollësishëm dhe Presidenti është shumë i shqetësuar për çdo gjë që nuk duhej bërë e ditur...” Është zëdhënësi Ari Fleischer duke folur në Shtëpinë e Bardhë, për këtë shkrim botuar të enjten në faqen e parë të gazetës Washington Post. Në shkrim thuhej se Agjencia e Sigurimit Kombëtar kishte kapur më 10 shtator dy mesazhe në arabisht, që linin të kuptohej, se ekzistonte rreziku i një sulmi më 11 shtator. Sipas gazetës, mesazhet e përçuara përmes dy bisedave të veçanta të inçizuara, u përkthyen tepër vonë, më 12 shtator. Pjesa tepër e hollësishme kishte të bënte me shprehjet e përdorura. Në njërin mesazh thuhej: ”Nesër është dita zero...”. Ndërsa në tjetrin: ”Ndeshja është nesër...”. Kreu i Komisionit të Senatit për Zbulimin, demokrati Bob Graham tha se zëvendës presidenti e telefonoi duke shprehur shqetësimin për daljen e informacionit. Edhe kreu i komisionit të zbulimit të dhomës së përfaqësuesve, Porter Goss mori një telefonatë dhe thotë se përdorimi i pa vend i informacionit sekret, është një përgjegjësi e madhe, veçanërisht në kohë lufte. Porter Goss, anëtar i Kongresit ”Kjo është e vërtetë veçanërisht kur ato që thuhen dhe janë pa vend, mund të ndihmojnë një armik mizor që godet më të pafajshmit kudo dhe në çdo kohë”. Por analisti për çështjet e mbrojtjes, Anthony Cordesman e sheh këtë situatë nën një dritë interesante:”Shpesh informacionet e nxjerra, zmadhojnë disa anë të aftësive të zbulimit dhe lënë në hije disa të tjera. Kështu që ato veprojnë pothuajse si një operacion me të njëjtin synim disinformimi”. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuara në përpjekjet për të përmirësuar mbrojtjen ndaj terroristëve ”për një kohë shumë të gjatë”. ”Ky do të jetë një duel me një sërë armiqsh shumë të mprehtë dhe të ndryshueshëm”, thotë Cordesman. Ndërkohë, Prokurorit të Përgjithshëm i është kërkuar të hetojë mbi daljen e informacionit në fjalë.

XS
SM
MD
LG