Lidhje

Steiner komenton në Gjenevë - 2002-06-27


Administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën paralajmëroi se pakësimi i përkrahjes ndërkombëtare ka rrezik të minojë përparimin në Kosovë. Zoti Michael Steiner i bëri këto komente në një takim zhvilluar sot në Gjenevë, ku po shqyrtohet gjendja në Ballkan.

Përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Michael Steiner thotë se gjendja në Kosovë mbetet e rëndë dhe papunësia arrin në masën 60 për qind. Por ai shtoi se po vërehet përparim në një sërë fushash.

Zoti Steiner theksoi se korniza kushtetuese është krijuar dhe se shumë institucione si policia dhe gjyqësori po funksionojnë mirë. Gjatë tre vjetëve që kanë kaluar që nga përfundimi i luftës në Kosovë, tha ai, atmosfera është përmirësuar dhe janë krijuar kushtet që serbët të cilët jetonin në Kosovë të kthehen në banesat e tyre. Por, shtoi zoti Steiner, kthimi i tyre duhet të jetë i qendrueshëm, pra ata duhet të kenë mundësi të sigurojnë jetesën:

Në mënyrë që të mundësojmë kthimin e njerëzve, duhet të përmbushim kushtet paraprake, pra duhet të ekzistojnë kushtet e nevojshme të sigurisë. Por është e nevojshme që të ketë edhe ujë, energji elektrike dhe kujdes shëndetësor. Gjithashtu atyre duhet t’u krijohen kushtet për të marrë pjesë në jetën politike, si dhe të kenë mundësi të punojnë. Përmbushja e të gjitha këtyre kushteve kërkon fonde, tha administratori.

Zoti Steiner tha se deri tani më shumë se 4 mijë serbë janë kthyer në Kosovë. Ai pohoi se ky nuk është një numër i konsiderueshëm. Afro 250 mijë serbë të tjerë, të cilët jetonin në Kosovë, tani jetojnë jashtë kufijve të saj. Zoti Steiner është i mendimit se shumë prej tyre do të ktheheshin në banesat e tyre nëse do të bindeshin se ka siguri dhe punë. Për fat të keq, vazhdon ai, përkrahja ndërkombëtare për kthimin e personave dhe për zhvillimin e Kosovës ka rënë ndjeshëm. Për shembull, vë në dukje administratori i Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian kontribuoi këtë vit 170 milion euro për Kosovën, por kontributi i tij për vitin e ardhshëm do të jetë vetëm 50 milion euro, pra shumë më i ulët.

Zoti Steiner thotë se Kosovës i nevojiten fonde tani, në mënyrë që të ketë shanse për sukses:

Nuk po them që duhet të vazhdojmë të njëjtin angazhim për 10 vjetët e ardhshëm. Mendoj se kemi më pak kohë, pasi ka përparësi të tjera. Megjithatë, puna e filluar duhet çuar deri në fund; nëse nuk bëhet një gjë e tillë, do të na kushtojë shumë më shtrenjtë, tha ai.

Zyrtari i Kombeve të Bashkuara tha se do të ishte gabim që komuniteti ndërkombëtar t’i kthente shpinën Kosovës në një kohë kur, siç u shpreh ai, ka një shans të vërtetë për sukses.

XS
SM
MD
LG