Lidhje

Arafati: t'i jepet fund pushtimit izraelit - 2002-06-28


Udhëheqja palestineze u bëri thirrje udhëpheqësve të Grupit të Tetshes që morën pjesë në takimin e nivelit të lartë në Kanada, që t’i japin fund pushtimit izraelit të territoreve palestineze.

Në deklaratën e lëshuar nga zyra e Jaser Arafatit bëhet gjithashtu thirrje që udhëheqësit e Grupit të Tetshes ë dërgojnë vëzhgues në rajon për të ndihmuar në përpjekjet për arritjen e armëpushimit.

Këto thirrje bëhen ndërkohë që ushtria izraelite vazhdon të mbajë të rrethuar selinë e Autoritetit Palestinez në Hebron, ku janë strehuar deri në 15 ekstremistë që kërkohen nga Izraeli.

Forcat izraelite kanë pushtuar 7 nga 8 qytetet palestineze në Bregun Perëndimor në shenjë hakmarrjeje ndaj një sërë shpërthimesh vetëvrasëse në Izrael në fillim të këtij muaji.

Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Binyamin Ben Eliezer, citohet të ketë thënë se konflikti nuk mund të zgjidhet me rrugë ushtarake dhe se është koha që të rifillohet procesi i paqes.

Zyrtarë palestinezë reaguan me zemërim ndaj kritikave të fundit amerikane kundër zotit Arafat dhe kërcënimeve amerikane për të prerë ndihmat.

Anëtari i kabinetit palestinez, Imad al-Faluxhi, tha se askush nuk ka të drejtë të përzihet në punët e brendshme të popullit palestinez. Kreu i shërbimit të sigurimit në Bregun Perëndimor, Xhibril Raxhub, citohet të ketë thënë se përfshirja e zotit Arafat në njhë kategori me ish sunduesit talebanë të Afganistani është e gabuar dhe e padrejtë.

Presidenti Bush ka paralajmëruar palestinezët se Shtetet e Bashkuara do t’ua ndërpresin ndihmën nëse ata nuk heqin nga pushteti udhëheqësit e korruptuar dhe të kompremetuar nga terrori.

XS
SM
MD
LG