Lidhje

Kalendari Historik 27 qershor - 2002-06-28


Më 27 qershor të vitit 1950, presidenti Harry Truman u dha urdhër forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara që të ndihmonin Korenë e Jugut, e cila ishte pushtuar nga Koreja e Veriut. Rreth 75 mijë trupa të Koresë së Veriut kishin hyrë në Korenë e Jugut më 25 qershor dhe kishin vënë në shënjestër kryeqytetin, Seul. Presidenti Truman u dha udhër forcave ajore dhe marinës amerikane që të zprapsnin pushtuesit. Ai tha se një ndërhyrje e fuqishme ishte e nevojshme për të shpëtuar Korenë e Jugut dhe për të parandaluar përhapjen e komunizmit në Azi. Zoti Truman shtoi se sulmi kundër Koresë së Jugut ishte një shenjë e qartë se komunizmi kishte kaluar caqet e diversionit për të luftuar vendet e pavarura dhe se do të përdorte tani e tutje ndërhyrjen e armatosur dhe luftën. Gjatë luftës 3-vjeçare, që përfundoi me një armëpushim në korrik të vitit 1953, rreth 1 milion veta humbën jetën, mes tyre mbi 50 mijë amerikanë.

Më 27 qershor 1872 lindi në Dayton të shtetit Ohio Paul Laurence Dunbar, një bir skllevërish dhe një prej poetëve të parë të njohur zezakë. Megjithëse kishte mbaruar shkollën e mesme, ai nuk qe në gjendje të zinte ndonjë punë të mirë, për shkak të ngjyrës. Përmbledhja e tij e parë e poezive u shtyp në mënyrë private më 1893 kur ai punonte si operator ashensori. Përmbledhja e tij me poezi që u botua më 1896, Lirikat e një Jete të Rëndomtë, e bëri atë të njohur në gjithë vendin. Veprat e tij të para u shquan për përdorimin e dialektit të zezakëve. Më vonë ai shkroi poezi dhe romane me gjuhën standarte, ku personazhet ishin kryesisht të bardhë. Paul Laurence Dunbar vdiq nga tuberkulozi në shkurt të vitit 1906 në moshën 33 vjeçare.

XS
SM
MD
LG