Lidhje

SHBA kundër zgjatjes së misionit të OKBsë në Bosnje - 2002-06-28


Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara paralajmëroi se do të vendosë veton ndaj një rezolute për zgjatjen e misionit të Kombeve të Bashkuara në Bosnje, nëse trupave amerikane nuk u garantohet imuniteti nga ndjekja penale në një gjykatë të re botërore për krimet. Ambasadori amerikan, John Negroponte u tha dje gazetarëve se ”vetoja është pa dyshim një mundësi”, nëse kjo çështje nuk zgjidhet. Afati për ripërtëritjen e misionit të Kombeve të Bashkuara është mesnata e së dielës, pikërisht koha kur gjykata ndërkombëtare e krimeve hyn në fuqi në Hagë. Gjykata është forumi i parë ligjor në botë që do të zhvillojë procese për krime të genocidit, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës. Deri tani 69 vende e kanë ratifikuar traktatin për krijimin e gjykatës. Administrata e Presidentit Bush e ka hedhur poshtë traktatin, duke thënë se trupat dhe shtetasit amerikanë, mund të rrezikojnë të ndiqen penalisht për arsye të parëndësishme apo politike, jashtë kufijve amerikanë. Ata që janë në favor të gjykatës thonë se kërkesa e Shteteve të Bashkuara për imunitetin e ushtarëve të saj është një fushatë për të bllokuar gjykatën ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG