Lidhje

"Kthimi": do të largohemi përsëri nga punimet e Kuvendit... - 2002-07-07


Deputetët serbë të koalicionit "Kthimi" do të largohen përsëri nga punimet e Kuvendit të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së Parlamentit të Kosovës, Gojko Saviç, deklaroi për mediat e Beogradit se koalicioni serb "Kthimi" do të tërhiqet nga Kuvendi i Kosovës, në qoftë se deputetëve të tij nuk u lejohet që, në të, përdorin emrin "Kosovë e Metohi".

”Deputetët e koalicionit serb do të marrin pjesë në seancën e kuvendit të caktuar për 11 korrik dhe, me siguri, në diskutime e më tutje do ta përdorin emrin e plotë zyrtar për këtë krahinë tonën”, tha zoti Saviç.

Ai shtoi se nëse ndodh që atyre sërish t’u pritet fjala, do ta braktisin sallën përsëri dhe nuk do të kthehen në kuvend derisa shefi i UNMIKU-t, Michael Steiner ta pezullojë ”këtë ndalesë alogjike”.

Megjithatë, zoti Saviç shfaqi bindjen se Steiner do të ndërhyjë kundër kësaj ndalese të aplikuar nga kryetari i kuvendit, Nexhat Daci, dhe vuri në dukje se kryeadminsitratori i Kosovës këtë e ka paralajmëruar me një deklaratë të dhënë këto ditë në Beograd ku tha se askush nuk mund të ndëshkohet për shkak të përdorimit të këtij emri.

Zoti Saviç theksoi se emri "Kosovë e Metohi" nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sepse ajo, siç shprehet ai, ”e njeh Kosovën në kuadrin e Serbisë e Jugosllavisë”. Prandaj, edhe organet shtetërore serbe e jugosllave në të ardhmen duhet të shfaqin rigorozisht kujdes për ta përdorur emërtimin zyrtar për Kosovën gjithnjë derisa nuk merret vendimi për statusin e saj përfundimtar, theksoi Saviç.

Kryeadministratori i Kosovës, Steiner, gjatë vizititës së fundit në Beograd, kur po komentonte vendimin e kryetarit të kuvendit të Kosovës, Daci, për t’ua ndaluar deputetëve serbë përdorimin e emrit "Metohi", tha se në Rezolutën 1244, ”të pranuar nga Jugosllavia dhe me Kornizën Kushtetuese që është mbështetur nga përfaqësuesit politikë serbë”, figuron vetëm nocioni Kosovë, dhe dokumentat duhet të respektohen. Mirëpo zoti Steiner tha se askujt nuk mund t’i ndalohet përdorimi edhe i emrit "Metohi", duke shtuar se ai do të përdorë vetëm emërtimin që është në dokumenta zyrtare.

Emri zyrtar i Kosovës, është ndryshuar në "Kosovë e Metohi" me Kushtetutën e Serbisë në shtator të vitit 1990, pas pezullimin të dhunshëm të autonomisë së athershme, në mars të vitit 1989.

Ndërkaq, nënkryetari i qeverisë së Serbisë dhe shef i Qendrës Koordinuese të Shtetit për Kosovën, Nebojsha Çoviç në një deklaratë për televizionin lokal "Palma Plus" të Jagodinës ka thënë mbrëmë se në Kartën Kushteteuse të bashkësisë së ardhshme midis Serbisë e Malit të Zi, që është duke u përgatitur, Kosova dhe Vojvodina duhet të përkufizohen qartë si krahina autonome të Republikës së Serbisë. Ky përkufizim, sipas tij, është i domosdoshëm që të mos ketë më pas mosmarrëveshje.

Zoti Çoviç tha se një përkufizim i tillë në Kartën Kushteteuse ”duhet të përfshihet si qëndrim politik që siguron tendencat evropiane të ndërlidhjeve e të integrimeve, e kurrsesi coptimin dhe ndarjen”.

XS
SM
MD
LG