Lidhje

Presidenti Bush propozon një strategji të re sigurimi - 2002-07-16


Presidenti Bush i paraqiti Kongresit një strategji të përgjithshme për sigurimin kombëtar, për të parandaluar sulme të reja terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara dhe për të minimizuar dëmet e sulmeve që nuk mund të parandalohen.

Në një fjalim të shkurtër që mbajti sot në Shtëpinë e Bardhë, presidenti tha se nevojiten vendime të forta për të ndrequr strukturën e fragmentuar të qeverisë federale.

Strategjia e re kombëtare do t’i jepte presidentit autoritetin për të riorganizuar agjencitë federale. Presidenti Bush i bëri thirje Kongresit të zhvillojë një debat në të dyja dhomat lidhur me propozimin e tij.

Strategjia kombëtare për sigurinë e vendit është në thelb një plan veprimi, një listë e hollësishme hapash që administrata e Presidentit Bush mendon se duhet të ndërmerren për të parandaluar një sulm tjetër në territorin amerikan.

Presidenti e paraqiti dokumentin në një fjalim të shkurtër në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, i rrethuar nga udhëheqës të Kongresit dhe zyrtarë të lartë të administratës.

“Të gjithë jemi të një mendimi se mbrojtja e Amerikës nga një sulm i mundshëm është përparësia jonë më urgjente dhe ne duhet të veprojmë duke ndjekur prioritetet,” tha presidenti Bush.

Presidenti e bëri të qartë se krijimi i një Departamenti kombëtar për sigurinë e vendit është diçka thelbësore dhe i kërkoi Kongresit të fillojë së shpejti debatin për legjislacionin e nevojshëm.

“Duke vepruar së bashku për të krijuar një departament të ri dhe të vetëm të sigurisë kombëtare, ne do t’i dërgojmë botës sinjalin se Kongresi dhe administrata do të punojnë së bashku për të mbrojtur popullin amerikan,” tha presidenti Bush.

Ai tha se drejtimet e departamentit do të jenë të koordinuara, duke vënë në dukje se strategjia për sigurinë kombëtare përcakton linja të qarta të autoritetit për sigurinë e vendit.

XS
SM
MD
LG