Lidhje

Powell takohet me ministrat e jashtëm të Egjyptit, Jordanisë dhe Arabisë Saudite - 2002-07-18


Sekretari i Shtetit, Colin Powell do të zhvillojë sot një takim në Uashington me ministrat e jashtëm të Egjiptit, Jordanisë dhe Arabisë Saudite. Bisedimet pritet të përqendrohen në rrugët për të reformuar agjencitë palestineze të sigurimit, një nga përparësitë kryesore të Shteteve të Bashkuara. Por lidhur me rolin e udhëheqësit palestinez, Yasser Arafat, vazhdojnë mospajtimet, të cilat mbeten një pengesë.

Deklarata përfundimtare e të ashtuquajturit Kuartet Diplomatik, që përbëhet nga diplomatë të lartë të Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, thekson nevojën për reforma të gjera palestineze. Por deklarata i bën thirrje Izraelit të mbështesë idenë për krijimin e një shteti funksional palestinez dhe për të zbutur kufizimet në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, të cilat po dëmtojnë rëndë ekonominë palestineze. Në të njëjtën kohë, Kombet e Bashkuara, Rusia dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur haptas mospajtimin e tyre me administratën amerikane lidhur me rolin e udhëheqësit palestinez, Yasser Arafat. Presidenti Bush ka bërë thirrje për një ndryshim në udhëheqje dhe i ka kushtëzuar reformat palestineze me çdo rifillim të bisedimeve për paqe. Analisti politik Dan Tschirgi i Universitetit Amerikan në Kajro thotë se aleatët e Shteteve të Bashkuara mund të pranojnë idenë se zoti Arafat nuk është një partner i prirur drejt paqes, por ata thonë gjithashtu se, si udhëheqës palestinez i zgjedhur në mënyrë legjitime, ai nuk mund të lihet jashtë ekuacionit:”Evropianët nuk thonë se Arafati duhet të jetë patjetër udhëheqës. Por ata nuk janë dakord me idenë se ai duhet të përjashtohet,” thotë analisti. Por analisti egjiptian, Abdel Monem Said i Qendrës për Studime Strategjike Al Ahram, thotë se zgjedhjet palestineze që priten nga zhvillimi i vitit të ardhshëm, mund të bëjnë që mosmarrëveshja të zgjidhet. Ndërkaq, ai përqendrohet në aspektet pozitive të përpjekjeve amerikane për të zgjeruar përfshirjen e aleatëve të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme, siç tregon edhe takimi i Kuartetit Diplomatik:”Koncepti i takimit thekson në vetvete idenë se në krye të të gjithë procesit kemi një këshill drejtues që është Kuarteti. Ky këshill do të përfshijë edhe përfaqësues të Egjiptit e Jordanisë duke i dhënë problemit karakter rajonal. Gradualisht do të krijohet një lloj forumi ndërkombëtar që mund të merret me zgjidhjen e çështjes palestineze. Kjo ide është ende në përpunim e sipër, por besoj se është një hap përpara, thotë zoti Said.” Analistët në rajon thonë se përpjekjet për paqe duhet të përqendrohen tani edhe në ndihmat humanitare për të lehtësuar vuajtjet e palestinezëve. Por ata parashikojnë zhvillime të pakta në arenën politike para se zgjedhjet palestineze të përcaktojnë se kush do t’i udhëheqë ata në procesin e paqes.

XS
SM
MD
LG