Lidhje

Greqi: goditet terrorizmi - 2002-07-25


Policia greke thotë se një person që dyshohet të jetë anëtar i organizatës terroriste 17 nëntori, i cili u arrestua këtë javë, kishte marrë pjesë në vrasjen e shefit të stacionit të CIA-s në Athinë, në vitin 1975.

Policia thotë se 46 vjeçari Pavlos Serifis është prej kohësh anëtar i 17 nëntorit dhe ka marrë pjesë në organizimin e disa prej sulmeve të këtij grupi. Zoti Serifis, i dyshuari i dymbëdhjetë i 17 nëntorit të arrestuar që kur Greqia filloi operacionet kundër grupit terrorist, u kap nga policia të mërkurën.

Autoritetet greke thonë se ai ka luajtur rol në vrasjen e Richard Welch-it, zyrtar i lartë i CIA-s në Greqi, para 27 vjetësh. Zoti Serifis është i vetmi i dyshuar, të cilin e lidhin deri tani me këtë vrasje, e para mes 23 të tillave të realizuara nga organizata gjatë 25 vjetëve.

Zoti Welch u qëllua me armë në rrethinat e Athinës, në dhjetor 1975 nga një grup prej tre vetësh që rrethoi makinën e tij.

17 nëntori ka vrarë diplomatë amerikanë, britanikë dhe turq, si edhe politikanë, afaristë dhe prokurorë grekë. Ky grup ka kryer gjithashtu shpërthime, sulme me raketa dhe grabitje bankash.

Të dyshuar të tjerë që janë arrestuar kanë treguar për pjesmarrje në sulme që kanë ndodhur nga mesi i viteve 80 deri në vitin 2000, kur 17 nëntori vrau viktimën e fundit, atasheun britanik të mbrojtjes Stephen Sanders.

Zoti Serifis, ashtu si edhe Aleksandros Giotopoulos që është arrestuar dhe që policia e ka identifikuar si drejtuesin e grupit, kanë mohuar se janë anëtarë të 17 nëntorit.

Greqia ndodhet nën trysninë ndërkombëtare për të marrë masa kundër terrorizmit tani që po afrojnë lojrat olimpike të vitit 2004 në Athinë. Autoritetet greke thonë se praktikisht e kanë shkatërruar organizatën 17 nëntori.

XS
SM
MD
LG