Lidhje

Rezultatet e anketës për zgjedhjet në Maqedoni - 2002-07-31


Qendra për çështje etnike dhe të sigurisë pranë Institutit për Sociologji dhe hulumtime politike-juridike në Shkup ka zhvilluar një anketë në Maqedoni me 1600 persona në lidhje me pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet parlamentare të 15 shtatorit dhe mundësinë e përdorimit të dhunës në to.

Sipas rezultateve të kësaj ankete të zhvilluar nga 10 deri në 15 korrik, 94 përqind e shqiptarëve të pyetur thonë se do të marrin pjesë në votime, po kështu 87 përqind e maqedonasve thonë të njëjtën gjë. Nga 100 personat e pyetur, 49 përqind e tyre presin që të ketë dhunë në zgjedhje ndërsa 29 përqind jo. Prej tyre, pjesa më e madhe, 40 përqind e shqiptarëve dhe 63 përqind e maqedonasve të anketuar nuk presin të jenë viktimë e dhunës.

Po sipas kësaj ankete, 18 përqind e shqiptarëve presion që të ketë akte dhune midis vetë shqiptarëve, po kështu, 16 përqind e maqedonasve presin të njëjtën gjë për komunitetin e tyre.

Këto të dhëna janë komentuar gjerësisht sot në Maqedoni, vecanërisht pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje. Po kështu, në një zhvillim tjetër, ambasada amerikane në Shkup ka përgënjeshtruar shkrime të botuara në revistën maqedonase Start, sipas të cilës, nënkryetari i PDSH-së, Mendu Thaci, do të përfshihet në atë që quhet lista e zezë amerikane, në të cilën tashmë figurojnë disa udhëheqës shqiptarë në Maqedoni.

Ambasada amerikane ka konfirmuar se zoti Thaci nuk gjendet në këtë listë dhe se Shtetet e Bashkuara nuk komentojnë se cili do të përfshihet në të apo cili do të hiqet prej saj. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të identifkojnë individë të tjerë, bën të ditur ambasada amerikane në Shkup, në një reagim gojor ndaj shkrimeve të revistës maqedonase Start, duke theksuar megjithatë nuk do të bëjë komente për të. Personi i fundit që u përfshi në listën e zezë amerikane ishte kryetari i Partisë Demokratike Kombëtare Kastriot Haxhirexha ndërkohë që në të figurojnë edhe disa udhëheqës të tjerë shqiptarë.

XS
SM
MD
LG