Lidhje

Mund të rifillojnë inspektimet në Bagdat - 2002-08-02


Britania e madhe po shpreh dyshim lidhur me ftesën që Iraku i bëri kryeinspektorit të OKB-së për armët që të vizitojë Bagdadin, një zhvillim të cilin Rusia e përshëndeti si hap të rëndësishëm në përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kombet e Bashkuara.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme britanike tha se dihet prej kohësh që presidenti irakian, Sadam Husein, ka prirjen për lojra politike, siç u shpreh ai.

Në një deklaratë të sotme të ministrisë së jashtm ruse thuhet se ky hap irakian përbën një ofertë për zgjidhjen paqesore të krizës.

Në një letër që i dërgoi dje sekretari të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ministri i Jashtëm irakian fton shefin e inspektorëve të armëve për bisdedime, duke lënë të kuptohet se inspektimet mund të rifillojnë pas një ndërprerjeje prej pothuajse 4 vjetësh.

Debati në Senat për Irakun

Analistë politikë në Washington i thanë dje komisionit të senatit për punët e jashtme, se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë duhet të jenë të gatshëm për të ndihmuar në rindërtimin e Irakut, nëse rrëzohet regjimi i atjeshëm.

Ndërkohë që shtohen spekulimet mbi një fushatë të mundshme ushtarake amerikane për të hequr udhëheqësin irakian Saddam Hussein ekspertët i paralajmëruan ligjvënësit se krijimi i një vakumi politik do të kishte pasoja serioze për Irakun.

Phebe Marr, ish-profesore në universitetin e mbrojtjes kombëtare tha se nëse para një sulmi të mundshëm nuk është përcaktuar se kush do të vijë në fuqi, lufta për pushtet mes grupeve opozitare mund të kishte pasoja katastrofike: "Nëse qysh ditën tjetër në Bagdad nuk do të jetë vendosur në pushtet një udhëheqje e qendrueshme, atëhere atje mund të fillojnë larja e hesapeve dhe gjakderdhja, veçanërisht në zonat urbane”.

Zonja Marr u shpreh në favor të një pushtimi amerikan të Irakut, duke thënë se kjo përbën shansin më të mirë që në të ardhmen e afërt atje të vendoset shteti juridik dhe rendi, të parandalohet hakmarrja e grupeve rivale dhe t’u jepet mundësi irakianëve të fillojnë procesin e ringritjes të një sistemi politik. Gjithsesi, tha ajo, kjo do të kërkonte një angazhim disa vjeçar amerikan si edhe trupa të përbashkëta me aleatët në terren.

Rend Francke, drejtore ekzekutive e fondacionit për Irakun, një organizatë për demokracinë me qendër në Washington, theksoi rëndësinë e përkrahjes së Irakut, pas një ndërhyrjeje të mundshme ushtarake: ”Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ndryshojnë kursin. Kjo nuk duhet të jetë një fushatë për të ndryshuar regjimin, por për të rindërtuar Irakun. Dhe nëse nuk e kuptojmë këtë atëhere përgatitjet tona do të jenë shumë të dobëta. Ky nuk është thjesht një operacion ushtarak”.

Zonja Francke, tha se nuk duhet lejuar që ushtria irakiane të ketë një rol më të madh në një qeveri të ardhshme, sepse kjo do të mundësonte kthimin e militarizimit.

Muajt e fundit, administrata e Presidentit Bush po flet për një ndryshim të regjimit irakian, për shkak të shqetësimeve se Saddam Husseini po prodhon ndoshta armë të shkatërrimit në masë. Udhëheqësi irakian nuk ka lejuar hyrjen në vend të inspektorëve të Kombeve të Bashkuara, që nga viti 1998.

XS
SM
MD
LG