Lidhje

Kalendari Historik 2 gusht - 2002-08-02


Më 2 gusht 1939 fizikani Albert Ajnshtajn i shkroi presidentit Franklin Roosevelt një letër që do të ndryshonte rrjedhën e historisë. Fituesi i Çmimit Nobel, i cili në atë kohë jepte mësim në Universitetin Princeton në Nju Xhersi, ishte më i shquari i i shkencëtarëve gjermanë, që kishin ikur për shkak të nazizmit, para fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Në letrën e tij Ajnshtajni e paralajmëronte presidentin Roosevelt se shkencëtarët në Gjermaninë naziste po përpiqeshin të zhvillonin atë që ai e quante “një bombë shumë të fuqishme uraniumi të një lloji të ri”, e cila mund të shkatërronte një qytet të tërë. Letra i kërkonte presidentit Roosevelt të siguronte mbështetje financiare për shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara, që ishin duke punuar për zbërthimin e atomit. Albert Ajnshtajni shprehte gjithashtu mendimin që qeveria amerikane të fillonte të kërkonte burime uraniumi për Shtetet e Bashkuara. Si rezultat i letrës, presidenti Roosevelt krijoi një komision shkencëtarësh dhe inxhinierësh, që do të studionin mundësinë e krijimit të një bombe atomike amerikane.

Më 2 gusht 1876 shefi i mirënjohur i policisë së rajoneve të largëta, “Wild Bill’, Hickok, u godit pas koke me armë zjarri, ndërsa ishte duke luajtur me letra në një pijetore në Deadwood, të territorit të Dakotës. Ai vdiq në çast. Njeriu që e vrau atë, Jack McCall, ishte rekrutuar nga disa banditë në Deadwood për ta vrarë Hickokun. Më së fundi Jack McCall-i u dënua me varje për vrasjen. James Butler Hickok kishte lindur në vitin 1837 dhe kishte luftuar për Unionin gjatë Luftës Civile Amerikane të viteve 1860. Më vonë ai u bë i njohur si një luftëtar sypatrembur dhe më pas si një shef policie i zoti në territoret Perëndimore të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG