Lidhje

Kontrolli i Lartë i Shtetit do t’i besohet Partisë Demokratike - 2002-08-14


Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Mustafa Kërçuku, duket se do t’i ketë ditët e numëruara në këtë post. Kryeministri Fatos Nano u shpreh dje qartë dhe pa mëdyshje se ky institucion do t’i besohet opozitës, duke vënë në jetë kështu një marrëveshje të nënshkruar pesë vjetë më parë midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në vitin 1997, sipas të cilës, Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të drejtohet nga opozita.

Në fakt Zoti Kërçuku u vu në këtë post si pëfaqësues i partive të opozitës, pasi në atë kohë demokratët nuk pranuan, për shkak të mosnjohjes së zgjedhjeve dhe të parlamentit të atëhershëm. Por tashmë ndryshimi i klimës në vend pas marrëveshjes së re pozitë-opozitë, duket se e ka nxjerrë jashtë loje kryetarin aktual të kontrollit të shtetit.

“Ka ardhur koha që opozita kryesore, e rikthyer në institucione, e integruar në një proçes politik dhe institucional që forcon fuksionimin e shtetit dhe të administratës publike, të drejtojë realisht me përfaqësuesit e saj më të përgjegjshëm edhe këtë institucion. Kjo nuk bëhet për të pastruar llogaritë e askujt, as për të larë hesapet me drejtues aktual institucionesh, por bëhet për të strukturuar më mirë fuksionimin e administratës dhe veçanërisht të institucioneve të tjera të pavarura që ushtrojnë kontroll mbi qeverisjen dhe mbi admistrimin e financave publike nga të gjitha trupat adminstrative”, tha kryeministri Nano.

Një ditë më parë kryeministri iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar rastet e shkarkimit të kryetarit të kontrollit të lartë të shtetit. Sipas kryeministrit ekziston një mospërputhje mes asaj që parashikon kushtetuta për këtë çështje dhe ligjit për këtë institucion.

Zëdhënësi i qeverisë Aldrin Dalipi, shpjegoi dje se kryeministri gjykon se dispozitat ligjore për institucionet e veçanta si dhe rasti i kontrollit të shtetit, kufizojnë ndjeshëm dimensionin e përcaktimit të Kushtetutës e cila reftlektohet në veprimtarinë e intstitucioneve, duke sjellë vështirësi në ndërmarrjen e reformave strukturore dhe mirfunksionimin ligjor të tyre.

Por, në ndryshim nga rasti i kryetarit të shërbimive sekrete shqiptare Fatos Klosi, i cili i shkarkua javën e shkuar, çështja e zotit Kërçuku mund të hasë në më shumë vështirësi pasi ai mbrohet nga një ligj i cili i ka dhënë atij një mandat shtatë vjeçar.

XS
SM
MD
LG